Gjykata Speciale

“Dajakun e mbaj mend” – dëshmitari i shtatë në rastin e Pjetër Shalës


“Dajakun e mbaj mend, se ushqimin e kishin harruar krejt”, kështu ka deklaruar dëshmitari i shtatë i koduar me numrin 1, në rastin e Pjetër Shalës, i cili këtë të martë po u përgjigjet pyetjeve të prokurorit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kur u pyet se çfarë ushqimi kishte konsumuar gjatë qëndrimit të tij në shtabin e Kukësit.

Më tej ai ka shtuar se në këtë shtab ushqeheshin një herë në javë ose një herë në dy javë.

Për të treguar më pas se edhe me ujin e pijes nuk i kishin punët mirë.

“Ata i linin nga 3-4 shishe me ujë në dhomë, por ato nuk mjaftonin, nuk i dilnin askujt, sepse ishim 8 deri në 12 persona aty”, tha dëshmitari i shtatë, i koduar me numrin 1.

‘‘Varet kur donin me na dhanë, u varke prej tyre’’, tha ai kur u pyet se a mund të kërkonin që të i mbushnin shishet me ujë.

Fillimisht dëshmitari tha se në dhomën kur ai ishte mbajtur dyshemeja kishte qenë e betonuar dhe se nuk kishte pasur mobile.

Ai tha se 2-3 ditët e para kishin pasur batanije dhe më pas ato iu ishin marr nga ushtarët me arsyetimin sipas tij se “pse të kishin diçka të butë spiunët”.

Tutje, i njëjti tha se dy dritaret e asaj dhome kishin pasur xham por që kishin qenë me hekura.

Kur prokurori filloi të pyeste dëshmitarin rreth identitetit të ndonjërit personat që mbaheshin në atë dhomën e shtabit në Kukës, seanca kaloi në sesion të mbyllur.

Në këtë seancë të së martës, dëshmitari ka përshkruar edhe vendin ku mbaheshin në shtabin e Kukësit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar ai ka identifikuar edhe objekte me shkronja ashtu siç iu kërkua nga prokurori.

Ai ka treguar se në këtë shtab ishte vendosur në maj të vitit 1999 dhe aty kishte takuar Pjetër Shalën. Duke e përshkruar vendin ai tha se magazina ishte e gjatë dhe një katëshe.

Kjo magazinë, sipas tij, ishte e ndarë në pjesën e uniformave dhe të ushqimit, ndërsa nga hyrja e cila ishte në anën e majtë ishin zyret dhe krejt në fund kuzhina, ndërsa në anën e djathtë të hyrjes ishin dhomat.

Dëshmitari në vizatimin e prezantuar (jo për publikun), shënoi me shkronjën A vendin e derës kryesore të shtabit, me shkronjën B magazinën e uniformave ku edhe kishte takuar Pjetër Shalën, me shkronjën C vendin e shënuar si kati II dhe shtabi kurse me X shënoi vendin se ku e kishte kaluar natën e parë.

I pyetur se çfarë kishte bërë në ditën e dytë, ai tha se kishte ndenjur me të njëjtit njerëz, me Pjetër Shalën, disa policë ushtarakë dhe edhe një ushtarë tjetër si dhe nga mbrëmja kishin luajtur letra.

Ndërkaq, kur u pyet se a kishte parë persona të tjerë në magazinën e uniformave tha se një pjesën që lidhte dy magazinat i kishin treguar se janë të arrestuar 3 romë, por që tha se ata i kishte parë tek në ditën e tretë.

Për t’i freskuar kujtesën dëshmitarit lidhur me të dhënat shtesë për herën e parë që i ka parë këta persona, prokurori kërkoi që të përdorej deklarata e tij e mëhershme e që u lejua nga trupi gjykues, por që më pas seanca kaloi në sesion privat.

Hagë: Intervistohet dëshmitari i shtatë në rastin e Pjetër Shalës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore