Rajoni

Daçiç: Veriu i Kosovës është jetik për Serbinë


Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, çështjen e veriut të Kosovës e ka cilësuar si një çështje vitale, kombëtare dhe shtetërore.

“Çështja e veriut të Kosovës është një çështje vitale kombëtare dhe shtetërore dhe se Serbia nuk do të lejojë që populli serb të përjetojë përsëri pogrome dhe spastrim etnik”, tha Daçiç, raporton Tanjug.

Ai duke komentuar marrëveshjen e të enjtes për targat në mes Kosovës dhe Serbisë , deklaroi se “ishte e qartë se Serbia do që ta vazhdojë dialogun”.

Arritja e Marrëveshjes në Bruksel u njoftua nga emisari i Posaçëm i Dialogut Kosovë – Serbi nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak, në llogarinë e tij në Twitter.

Pikat e Marrëveshjes.

Marrëveshja, të paktën ajo pjesë që është publikuar, përmban tri pika.

Pika një e marrëveshjes thotë se “forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, më 2 tetor në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00”.

Për më tepër, “KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nis largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë”.

Në pikën e dytë të dakordit, “nga 4 tetori, do të nis së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, siç është rënë dakord në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE si një masë e përkohshme derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme”.

Kurse pika e tretë thekson se “do të krijohet një grup pune i përfaqësuesve të partive të BE -së, Beogradit dhe Prishtinës, dhe i kryesuar nga BE -ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE -së”.

Ky grup punues takimin e parë do ta ketë me “21 tetor 2021 në Bruksel”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore