Kosova

Daçiç: Presim që RMV-ja të na ekstradojë ish-pjesëtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin


Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiç, ka thënë se pret që Maqedonia e Veriut t’ia ekstradojë Serbisë, ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadanin të cilin e arrestuan autoritet maqedonase të mërkurën.

“Ndodh shumë shpesh që shtetet ta arrestojnë dikë dhe më pas të mos e ekstradojnë. Nëse ka akuza të dokumentuara, atëherë sigurisht që presim që të ekstradohen për t’u gjykuar për krimet”, tha ai për Radio Televizionin e Serbisë.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, tha të mërkurën se “jemi duke punuar” për lirimin e ish-ushtarit e UÇK-së.

“Ka pasur edhe në të kaluarën raste të ngjashme. Po punojmë për ta evituar si problem”, tha Mexhiti për AP, derisa tregoi edhe për veprimet që janë duke i bërë për rastin në fjalë dhe jo vetëm.

“Jemi duke punuar edhe për këtë rast, por edhe për rastet tjera”, potencoi zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e RMV-së. Kjo ka ndodhur, siç tregoi Mexhiti, pasi që Serbia, ish-ushtarët e UÇK-së, i paraqet në INTERPOL.

“Pastaj paraqiten në sistem”, pohoi ai, duke shtuar se “duhet që ta gjemë zgjidhjen që të eliminohet si fenomen, jo vetëm për këtë rast”.

Ndërkaq në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se është në komunikim me autoritet në RMV për lirimin e Ramadanit.

“Jemi në komunikim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe me sektorët përkatës atje në mënyrë që të marrim vesh më shumë për shtetasin e Kosovës i cili po mbahet në paraburgim atje dhe që mos të ketë nënshtrim ndaj agresivitetin të Serbisë kundër Kosovës që reflektohet edhe në fletarrestime të tilla për qytetarët tanë”, potencoi Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore