Lajme

Daçiç për kryetarët e rinj në veri: S’mund të jenë kryetarë në komunat serbe


Ivica Daçiç

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, në një paraqitje televizive për Radio-Televizionin e Serbisë, konsideroi se detyrë e misionit paqeruajtës të NATO-së në Kosovë (KFOR) është “t’i pamundësojë aktet e njëanshme të Prishtinës”, e “jo t’i pengojë punonjësit të hyjnë në ndërtesat komunale”.

“Tani po i ruajnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes. Duket se po i ruajnë nga pronarët e objekteve, serbët, nga ata që punojnë atje, që janë të punësuar atje. Nuk mund të jenë kryetarë në komunat serbe, ku serbët nuk i kanë zgjedhur”, tha Daçiç.

Daçiç, i cili është edhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka urdhëruar që të ngrihet niveli i gatishmërisë ushtarake, “jo për të ndërhyrë në Kosovë”, por siç tha, “të jenë gati për të gjitha skenarët”.

“Ne nuk jemi për konflikte, jemi për zgjidhje paqësore të të gjitha çështjeve, por të gjithë duhet ta dinë se Serbia qëndron prapa popullit tonë në Kosovë, prandaj Vuçiç ka urdhëruar ngritjen e nivelit të gatishmërisë ushtarake, jo sepse po përgatitemi të ndërhyjmë, por të jemi gati për të gjitha skenarët”.

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar kryesisht me serbë etnikë.

Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – është duke u përpjekur për të negociuar me KFOR-in dhe po kërkon që kryetarët e rinj të mos hyjnë në objektet komunale. Gjithashtu, kërkesë e saj është edhe që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet elitare policare nga veriu.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore