Kosova

Daçiç: BE-ja po e rrit presionin ndaj Serbisë


Ivica Daçiç

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka potencuar se Bashkimi Evropian ka rritur trysninë ndaj Serbisë pas kërkesës zyrtare për ta inkorporuar Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit në kornizën e bisedimeve të Serbisë me Unionin.

“Ka përpjekje që Serbisë t’i imponohet një detyrim përmes Bashkimit Evropian dhe Kapitullit 35, që nëse dëshiron të bëhet anëtare, duhet të ketë të zbatuar në plotni Marrëveshjen e Ohrit dhe pjesën e marrëveshjes me të cilën nuk u pajtua”, tha Daçiq për TV Pink.

Sipas Daçiç-it, Vuçiç nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.

“Me deklaratën gojore të presidentit të Serbisë, ai u shkëput nga disa formulime që sugjerojnë se kjo është një lloj njohjeje e Kosovës dhe se jemi dakord që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare”, tha Daçiç.

Më 3 shkurt, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian ia dorëzoi Këshillit të BE-së propozimin për ta ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok, duke e futur Kapitullin 35.

Me këtë propozim, detyrimet nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe nga Aneksi i zbatimit të saj, të miratuar marsin e kaluar në Ohër, janë formalisht pjesë përbërëse e procesit të negociatave për anëtarësim ndërmjet Beogradit dhe Brukselit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore