Jetesë & Stil

Cv-ja anonime e ardhmja e burimeve njerëzore?


Në Finlandë ka nisur aplikimi i një programi pilot i cili parashikon një të ardhme ku aplikimi për punë do të bëhet me anë të CV-së anonime.

Idea qëndron  në eliminimin e të dhënave si emri, mosha, gjinia nga dokumentet që kandidatët duhet t’u dërgojnë  Departamenteve të Burimeve Njerëzore.

Para se të bëhet një përzgjedhje për intervistë pune, rekrutuesit  kanë përballë vetëm një kod identifikues me katër shifra.

Programi u aplikua fillimisht në qytetin e Helsinkit dhe ka arritur deri më tani 41 punësime të reja në 12 sektorë, kryesisht në arsim, por edhe në shëndetësi, shërbimet sociale dhe transportin publik.

Eksperimenti do të duhej të mbyllej në fund të vitit, por rezultatet kanë qenë kaq të mira, sa autoritetet e qytetit kanë vendosur ta vazhdojnë këtë projekt, edhe për gjithë 2021.

“Një nga drejtuesit tanë të burimeve njerëzore bëri të ditur se nuk ishte i sigurt nëse donte të vazhdonte me procedurat normale të rekrutimit pas eksperimentit”,  deklaroi për televizionin shtetëror, Yle Aino Lääkkölä-Pyykönen, përgjegjëse e personelit për Bashkinë e Helsinkit.

Ata që në fillim ishin më tepër skeptikë  për projektin e CV-së anonime ishin pikërisht drejtuesit e burimeve njerëzore, të cilët duket se tani e kanë të qartë se kjo është mënyra e duhur për të bërë përzgjedhje të shpejta dhe efektive.

Anonimati ndihmon ndër të tjera, në shmangien e diskriminimit për moshën dhe gjininë.

A do të jetë e ardhmja e burimeve njerëzore e mbështetur tek anonimati? Në Finlandë, ky trend duket se ka patur sukses dhe qëllimi i autoriteteve finlandeze është të vijojnë në këtë rrugë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore