Shqipëria

Çuçi: Kapja e kokainës në Portin e Durrësit, dëshmi e punës


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Përmes një postimi në Twitter, ai tha se rritja e sasisë së kokainës të kapur gjatë vitit 2021 në Portin e Durrësit, falë punës së Policisë së Shtetit, është një tregues domethënës i efikasitetit tonë në luftën e vazhdueshme kundër grupeve kriminale në fushën e narkotikëve.

“Ky fakt është evidentuar edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku vlerësohej gjithashtu pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në operacione të përbashkëta ndërkombëtare për të goditur trafikun dhe sekuestruar asetet e paligjshme”.

Sipas tij, këto dy të dhëna dëshmojnë se puna e Policisë së Shtetit dhe besimi te kjo strukturë janë ngritur në një tjetër nivel.

“Mbetemi të përkushtuar për thellimin e rezultateve përmes shkëmbimit të informacionit dhe operacioneve të tjera të përbashkëta”, shkruan Çuçi.

DASH: Shqipëria, bazë për krimin e organizuar

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin e tij të fundit për strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike – i cili përfshin gjithashtu dhe një tjetër kapitull mbi pastrimin e parave  – e ka cilësuar Shqipërinë një vend burim të kanabisit, por jo vetëm.

Për DASH-in, Shqipëria është një bazë lokale për grupet e krimit të organizuar që lëvizin drogat e paligjshme nga vendet e origjinës në tregjet evropiane.

Në raport shpjegohet sesi funksionon trafikimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore