Kosova

Cramon i reagon Sadriut: Në Kosovë po bëhet fushatë denigruese ndaj gazetarëve


Fushatë denigruese që po bëhet kundër gazetarëve në Kosovë e ka cilësuar Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, shkrimin e Prindon Sadriut, burri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ky i pari ka thënë të martën e tetë shkurtit se mediat janë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Liria e medies është një nga tri shtyllat bazike të demokracisë dhe gazetarët duhet ta kenë lirinë ta shprehin veten pa kurrfarë frike”, ka shkruar Cramon në Twitter.

Ajo ka theksuar se “jam duke monitoruar nga afër fushatën denigruese të organizuar kundër gazetarëve në Kosovë, për t’i kuptuar ngjarjet e fundit”.

“Kosova ka shërbyer si një shembull i mjedisit pluralist, ku do të dëshironim të shihnim që standardet e shprehjes së mendimit të mbesin të mbështetura dhe gazetarët të mbrohen nga presioni politik”.

Sadriu i ka quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pasi raportuan se Osmani, sa ishte deputete, ishte kompensuar me 4 mijë euro, për derivatet e shpenzuara, përkundër se ajo jetonte në Prishtinë dhe sipas rregullores deputetët që jetojnë në kryeqytet nuk kanë të drejtë kompensimin.

Prindon Sadriu

Sipas tij e gjithë kjo piketim e Osmanit nga mediat e ka një qëllim, “njollosjen e punës së presidentes”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikes, e persona të përfshir në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork 1 mijë e 200 dollarë ne Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin 50 dollarë për person (drekat e darkat iu shkonin deri në mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu në rrjetin e tij social në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore