Biznes

COVID-i i përball restorantet e Anglisë me anulime të rezervimeve


Andrew Taylor i mbante për javë të tëra shpresat te “e premtja e çmendur”, kur qindra njerëz do të grumbulloheshin në restorantin e tij në Croydon të Anglisë.

Mirëpo, rritja e rasteve me COVID gjatë javës së kaluar e detyruan atë të përballej edhe me shtimin e anulimeve në restorant.

Në vend të 300 rezervimeve që Taylor-i kishte në fillim të javës, vetëm 41 grupe e mbajtën vendin për të premten mbrëma.

Ajo që pritej të ishte nata më e ngarkuar e vitit para Krishtlindjeve, ishte e zbrazët.

“Ishim të rezervuar plotësisht çdo ditë të javës deri në prag të Krishtlindjeve dhe kjo nuk mund të ishte më larg nga e vërteta”, ka thënë Taylor-i.

Gjithashtu edhe të shtunën ndodhi e njëjta situatë anulimesh, 200 rezervimet e pritura ishin zvogëluar në vetëm 64.

“Përveç kësaj, kemi humbur të gjitha rezervimet tona të korporatave për Krishtlindje. Ka qenë e tmerrshme”, ka treguar ai.

Taylor-i ka treguar se shumë pak anëtarë të stafit janë të infektuar me COVID.

“Por nuk do të kishte shumë ndryshim sepse ata nuk kanë çfarë të bëjnë. Po shkurtojmë seriozisht orët, për fat të keq, gjë që nuk është ideale për të shkuar në javën e Krishtlindjeve”, ka vijuar ai.

Sipas tij, “shumica e bizneseve po mbështeteshin në një periudhë të mirë festive për t’i kaluar ato deri në janar. Mendoj se të gjithë e dinin se janari do të ishte i vështirë”.

Ai mendon se janë mesazhet e përziera nga qeveria problemi kryesor për këtë situatë të krijuar.

Dhe se mungesa e lidershipit të kryeministrit Boris Johnson po i bënte gjërat më të vështira.

“Ai nuk po u thotë njerëzve që të mos dalim, por gjithashtu po u thotë të qëndrojnë në shtëpi. I mungon shumë qartësia”, ka dalluar biznesmeni.

“Kemi nevojë për një paketë mbështetjeje sepse e gjithë kjo ka efekt. Nuk ka të bëjë vetëm me ne, ne kemi gjithashtu furnitorë, si dhe mijëra të tjerë të lidhur me ne”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore