Lajme

COVID-i e ka lënë Mbretëreshën Elizabeth “të rraskapitur”


Mbretëresha Elizabeth ka zbuluar se ndihej “shumë e lodhur dhe e rraskapitur” pas periudhës së saj të fundit të COVID-it.

Këtë, teksa ka diskutuar përvojën e saj me një ish-pacient, vëllai dhe babai i të cilit kanë ndërruar jetë nga virusi.

Në muajin shkurt, ajo rezultoi pozitive me coronavirus, por vijoi me detyrat e saj, paçka se vuante nga simptomat e lehta.

Gjatë një vizite virtuale në spitalin “Royal London” në Whitechapel për të shënuar hapjen zyrtare të njësisë së Mbretëreshës Elizabeth, ajo dëgjoi historitë e stafit mjekësor dhe pacientëve.

Duke folur me Asef Hussain, një ish-pacient me COVID-19 dhe gruan e tij Shamina, ajo ka thënë se pandemia “e tmerrshme” i lë të infektuarit shumë të lodhur dhe të rraskapitur.

Sakaq, Hussain ishte anëtari i tretë i familjes së tij që u shtrua në spital, pasi ata u infektuan në dhjetor 2020. Vëllai i tij ndërroi jetë i pari, i ndjekur nga babai.

Ai ka kujtuar përvojën e vet, kur një mëngjes e gjeti veten në pamundësi për të marrë frymë.

“Më kujtohet që zgjova gruan time, duke i thënë se ndihem sikur nuk ka oksigjen në dhomë”, ka treguar ai.

“Më kujtohet që nxora kokën nga dritarja, thjesht u përpoqa të merrja frymë, duke u përpjekur të merrja atë oksigjen shtesë”, ka vijuar.

Atij iu desh të qëndronte në Royal London për shtatë javë dhe ende ndodhet në proces shërimi. Që nga lirimi, ka përdorur një karrige me rrota dhe një aparat portativ oksigjeni.

Njësia e re me 155 shtretër u ndërtua në vetëm pesë javë për të përmbushur kërkesën e shkaktuar nga pandemia.

Çka në kushte normale, një objekt i asaj madhësie do të merrte rreth pesë muaj për t’u ndërtuar.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore