Lajme

COVID: BE rekomandon kufizime të reja të udhëtimit drejt SHBA-ve


Bashkimi Evropian ka rekomanduar një pauzë për të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme drejt SHBA-ve, ndërsa rastet me COVID-19 rriten.

Mesatarja ditore e pranimeve në spitale është rritur mbi 100 mijë, për herë të parë, që nga dimri i kaluar.

Vala e fundit, e nxitur nga varianti Delta, është më e rënda në jug të SHBA-ve, por rastet po rriten në mbarë vendin.

Udhëzimet e së hënës nga blloku prej 27 vendesh përmbysin këshillat që nga qershori, kur u hoqën kufizimet për udhëtarët amerikanë përpara sezonit turistik.

Rekomandimi është jo detyrues. Kjo do të thotë që vendeve do t’u lejohet të vendosin nëse dëshirojnë t’u lejojnë vizitorëve amerikanë dëshmi të vaksinimit, teste negative apo karantinë.

Megjithëse BE-ja hoqi së pari kufizimet e udhëtimit për amerikanët në qershor, SHBA-të e kanë mbajtur në fuqi ndalimin e tyre, për udhëtimet jo të domosdoshme evropiane që nga marsi i vitit 2020.

Në fillim të këtij muaji, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se mungesa e reciprocitetit nuk do të lejohej të “zvarritet për javë”.

Izraeli, Kosova, Libani, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut po ashtu janë hequr nga lista e udhëtimeve të sigurta të BE-së.

Pranimet në spitale në SHBA për pacientët me COVID-19 kanë arritur nivele, të cilat nuk janë parë që nga janari, kur vendi arriti kulmin e tij të të gjitha kohërave me më shumë se 142 mijë pacientë me coronavirus në shtretërit e spitaleve.

Florida ka më shumë se 16 mijë pacientë COVID-19 në spital – shumica e çdo shteti – të ndjekur nga Teksasi dhe Kalifornia, sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.

Rritja e fundit po shqetëson spitalet dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor. Afërsisht një në pesë njësi të kujdesit intensiv kanë arritur të paktën 95% të kapaciteteve.

Shkalla e vdekshmërisë është rritur gjithashtu – duke arritur një mesatare prej më shumë se 1 mijë në ditë. Pak më shumë se gjysma e të gjithë amerikanëve janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19.

Me miratimin e plotë të vaksinës Pfizer nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave javën e kaluar, administrata e presidentit Joe Biden ka dyfishuar përpjekjet e saj për të rritur normat e vaksinimit.

Të pavaksinuarit janë rreth 29 herë më të rrezikuar që të shtrohen në spital me COVID-19 sesa ata që janë plotësisht të vaksinuar.

Kjo, sipas një studimi të lëshuar nga Qendrat Amerikane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC) javën e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore