Shqipëria

COVID-19, thuajse inekzistent në Shqipëri


Një valë e re e COVID-19 gjatë dimrit pritej, por nuk erdhi në Shqipëri.

Pas disa rasteve të shtuara në fillim të muajit tetor, ato janë ulur ndjeshëm – në mos krejtësisht – ku aktive në gjithë territorin, mbesin vetëm 117 raste.

E gjithë kjo, pavarësisht se në Evropë dhe SHBA vijohet të ketë “ethe covid-iane” dhe përtej faktit se kufijtë, Shqipëria, i ka pasur të hapur pa kurrfarë kufizimi prej vendeve të huaja.

Në bazë të raportime nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shqiptare, si edhe pasqyruar në shumë buletine shkencore, përfshi edhe atë të statistikave botërore, Our World in Data, vendi rezulton të jetë me raste minimale të COVID-19 referuar Bashkimit Evropian apo më gjerë.

Po ashtu, edhe situata lidhur me vdekjet të ardhura prej virusit, paraqet shifra, shumë pranë zeros.

Kështu, prej muajit tetor 2021, Shqipëria ka qenë ndër vendet me më së pakti raste të reja.

Në fillim të tetorit, ato kanë shënuar 15 raste ditore infektimi për milion banorë (shumëfish herë më të ulëta se sa për vendet e BE-së).

Fillimi i shkurtit 2023, e gjen vendin me shifra edhe më optimiste, ku rastet e reja për milion banorë, kanë rënë në 2.56 ditore.

Në shifra të përafërta gjendet edhe Kosova, duke pasqyruar të dhënat e fillimit të tetorit, të cilat ishin në 2.56 raste ditore për milion banorë, teksa në fillim të shkurtit 2023, rastet e reja kanë shënuar rritje të lehtë, me 5.93 raste, por duke qenë sërish nën mesataren evropiane.

Kjo e fundit, referuar shifrave zyrtare, shkon në 66.62 raste të reja ditore, në rang Bashkimi Evropian. Por, për vende si Gjermania, shumatorja shkon në 140 raste të reja për milion banorë.

Pra, shifra ende shqetësuese, ashtu sikundër edhe në SHBA, me 123 raste ditore për milion banorë, sa i përket fillimit të shkurtit 2023.

Kjo, pasi në tetor, Evropa dhe SHBA-të kaluan një valë të madhe të radhës, me deri në 1 mijë e 200 raste të reja ditore për milion banorë.

Për zërin e vdekjeve, sërish Shqipëria zë vend të mirë në renditje, pasi prej një muaji, nuk shënon asnjë vdekje nga COVID-19. Që prej fillimit të tetorit madje, vetëm shtatë të tilla janë raportuar në rang kombëtar.

Ndërkaq, për Bashkimin Evropian në tërësi, vende si Gjermania apo Franca, edhe pse është shkurt 2023, ndalen në 98 vdekje për Gjermaninë dhe 40 vdekje për Francën, llogaritur si mesatare javore.

Në SHBA nga ana tjetër, kjo shumatore javore, shkon në 556 vdekje.

Thirrja prej ekspertëve, vijon të mbetet ajo e mbajtjes së situatës nën kontroll dhe të pasurit kujdes, por për Shqipërinë, duket se virusi thuajse është zhdukur tërësisht dhe situata epidemiologjike, është krejtësisht e stabilizuar.

Vetëm një person ndodhet i shtruar në spital, lidhur me problematikat e zhvilluara prej COVID-19 dhe ky, është një tjetër sinjal i mirë për një pranverë që po afron, duke llogaritur edhe vështirësitë që gripi sezonal i dimrit, vijon të lërë pas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore