Lajme

COVID-19 në Evropë, masa të reja për të luftuar përhapjen e Omicron


Një valë e re e COVID-19 po pushton Evropën edhe një herë. Ndërkohë, në qarkullim është edhe varianti Delta.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka cilësuar variantin e ri të coronavirus-it Omicron, të zbuluar në Afrikën e Jugut, si një “shqetësues”.

OBSH ka nxitur vendet në mbarë botën të vendosin kufizime udhëtimi.

Sakaq, shtetet e Evropës kanë ndërmarrë një sërë masash, duke llogaritur numrin në rritje të infeksioneve.

Danimarka

Qeveria daneze njoftoi të mërkurën e 8 dhjetorit se nxënësit e shkollave duhet t’i kthehen mësimit online, më 15 dhjetor.

Po ashtu, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, nga frika e shtimit të rasteve me COVID-19, urdhëroi që klubet e natës, baret dhe restorantet të mbyllen në mesnatë.

Masat do të vihen në zbatim që këtë javë dhe janë caktuar të zgjasin për katër javë.

Norvegjia

Qeveria ka vendosur të rikthejë masat, si rikthimi i distancës sociale në restorante dhe ambiente tw mbyllura. Pjesëmarrja në evente publike është kufizuar në 50 persona. Gjithashtu u kërkohet të gjithëve të punojnë nga shtëpia.

Masat do të zgjasin katër javë.

Kryeministri i vendit, Jonas Gahr Stoere, u shpreh se të dy variantet, Delta dhe Omicron-i, janë në rritje në Norvegji.

“Numri i njerëzve që pranohen në spitale dhe njësi të kujdesit intensiv po rritet”, tha ai.

Autoritetet rekomandojnë përdorimin e maskave për fytyrën në transportin publik, në dyqane dhe qendra tregtare.

Kushdo që hyn në Norvegji duhet të testohet brenda 24 orëve.

Nëse një test i shpejtë rezulton pozitiv, një udhëtar duhet të bëjë një test PCR brenda 24 orëve.

Polonia

Polonia do t’i bëjë të detyrueshme vaksinat kundër COVID-19 për punonjësit e shëndetësisë, mësuesit, policinë, ushtrinë dhe zjarrfikësit.

Ministri i Shëndetësisë, Adam Niedzielski, tha të martën e 7 dhjetorit se pas 1 marsit, vaksinimi do të jetë kusht për kryerjen e vendeve të punës në këta sektorë.

Klubet e natës do të mbyllen, ndërsa restorantet dhe teatrot do të funksionojnë me kapacitet të reduktuar.

Këto masa hyjnë në fuqi duke filluar nga data 15 dhjetor.

Gjermania

Parlamenti i Gjermanisë do të përpiqet të frenojë një valë infeksionesh coronavirus. Të paktën 68.9% e gjermanëve janë vaksinuar me të dyja dozat kundër COVID-19.

Javën e kaluar, qeveria vendosi disa masa të reja, sipas të cilave, të pavaksinuarit nuk lejohen të hyjnë në dyqane, restorante dhe mjedise sportive.

Franca

Sipas shifrave të publikuara nga Agjencia Franceze e shëndetit publik, 12 mijë e 96 pacientë me COVID-19 ishin në spital të hënën, duke përfshirë 2 mijë e 191 në kujdesin intensiv.

Franca do të mbyllë klubet e natës për katër javë.

Rreth 76.8% e 67.4 milionë banorëve të Francës janë plotësisht të vaksinuar, sipas shifrave të fundit.

Italia

Qeveria italiane, më 6 dhjetor, vendosi rregulla të reja për të pavaksinuarit.

Vetëm të vaksinuarit ose ata që kanë bërë test mund të lejohen në restorante, të shkojnë në kinema apo të marrin pjesë në ngjarje sportive.

Tashmë kërkohet një raport mjekësor, i cili përfshin mundësinë për të pasur një test negativ për COVID-19 në transportin ndërqytetas.

Belgjika

Një protestë kundër masave të virusit në Bruksel, përfundoi me përplasje më 5 dhjetor. Protestat erdhën, pasi kryeministri Alexander De Croo dy ditë më parë njoftoi se kopshtet dhe shkollat ​​fillore do të mbyllen një javë më herët për festat e Krishtlindjeve.

Mijëra banorë marshuan rrugëve të kryeqytetit belg ndaj kufizimeve të shtrënguara të COVID-19, të miratuara nga qeveria belge.

Rreth 100 protestues u përplasën me një barrikadë të policisë që rrethonte hyrjen në Komisionin Evropian. Policia përdori ujë dhe hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Po ashtu, sipas masave të reja, fëmijët duhet të mbajnë maska ​​që nga mosha gjashtë vjeç.

Austria

Austria e para në BE që u mbyll plotësisht dhe e bëri të detyrueshëm vaksinimin.

Dhjetëra mijëra njerëz dolën rrugëve në Austri më 4 dhjetor për të protestuar kundër vaksinimit të detyrueshëm dhe masave të tjera.

Bllokimi i Austrisë do të vazhdojë deri më 11 dhjetor.

Dyqanet ushqimore dhe farmacitë do të jenë të hapura çdo ditë, nga ora 19:00 deri më 21:00.

Irlanda

Të premten e 3 dhjetorit, Irlanda diskutoi për masat anti-COVID që do të zgjasin të paktën deri më 9 janar.

Klubet e natës do të mbyllen dhe do të rivendoset distanca sociale në bare, restorante dhe hotele.

Kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, bëri thirrje për të shmangur kontaktet sociale, në periudhën e Krishtlindjeve.

Njerëzve u është thënë të punojnë nga shtëpia, përveç nëse frekuentimi i vendit të punës është “absolutisht i nevojshëm”.

Greqia

Shpërthimi i rasteve nxiti gjithashtu ligjvënësit grekë të miratonin vaksinimin e detyrueshëm ndaj COVID-19 për personat mbi 60 vjeç.

“Vaksinohuni ose do të gjobiteni!”, ishte paralajmërimi i kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, më 30 nëntor.

Portugalia

Portugalia riktheu kufizimet më 1 dhjetor. Maskat e fytyrës janë bërë sërish të detyrueshme.

Gjithashtu ka forcuar kontrollin në kufij

Kërkohet një certifikatë digjitale që vërteton vaksinimin ose shërimin nga COVID-19 për të hyrë në restorante, kinema dhe hotele.

Portugalia ka një shkallë të lartë vaksinimi me rreth 86% të popullsisë së saj të vaksinuar plotësisht kundër virusit.

Spanja

Më shumë se 80% e popullsisë spanjolle tashmë është imunizuar, por frika e variantit Omicron ka shkaktuar një nxitje vaksinimi.

Që nga mesi i nëntorit, gati 200 mijë spanjollë, që hezitonin të merrnin vaksinën në fillim, tani e kanë ndërmarrë hapin.

Mbretëria e Bashkuar

Kryeministri Boris Johnson njoftoi të mërkurën se Anglia do të “kalojë në planin B”.

Nga e hëna, do të rifuten udhëzimet për të punuar nga shtëpia, si dhe maska ​​​​për fytyrën do të jetë e detyrueshme në ambiente të mbyllura.

Gjatë një konference për shtyp, Johnson paralajmëroi se Omicron po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, krahasuar me variantin e mëparshëm Delta.

Një raund i ri kufizimesh hyri në fuqi gjatë fundjavës së fundit të nëntorit, duke përfshirë mbylljen e të gjitha dyqaneve jo thelbësore, përfshirë baret dhe restorantet nga ora 17:00 deri në 05:00.

Republika Çeke

Një gjendje e jashtëzakonshme 30-ditore hyri në fuqi të premten, pasi Republika Çeke sheh raste rekord të COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtech, tha se të gjitha tregjet e Krishtlindjeve në të gjithë vendin janë të ndaluara dhe njerëzit nuk do të lejohen të pinë alkool në vende publike.

Baret, restorantet, klubet e natës, diskotekat dhe kazinotë duhet të mbyllen në orën 22:00.

Sllovakia

Sllovakia shpalli një gjendje të jashtëzakonshme 90-ditore dhe një bllokim dyjavor pas një rritjeje të rasteve të COVID-19 . Masat do të cilat përfshijnë mbylljen e të gjitha dyqaneve, si dhe baret dhe restorantet.

Rusia

Në Rusi ka pasur një numër shumë të ulët të vaksinimit dhe pajtueshmërisë së dobët me masat e shëndetit publik.

Në shumë rajone qeveria i ka bërë vaksinat të detyrueshme. Numri i infeksioneve të coronavirus-it në Rusi ka filluar të bjerë, por ai i vdekjeve ditore mbetet i lartë.

Suedia

Qeveria suedeze ka njoftuar se do të kërkohet një leje mjekësore për të marrë pjesë në çdo ngjarje me më shumë se 100 persona.

Me këtë leje do të vërtetohet se mbajtësi ose ka qenë plotësisht i vaksinuar ose ka rezultuar negativ gjatë 72 orëve të mëparshme.

Deri më tani është përdorur vetëm në Suedi për qëllime udhëtimi.

Ukraina

Nga 9 dhjetori, nëpunësit civilë dhe punonjësit socialë të pavaksinuar do të pushohen nga puna, tha qeveria.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, njoftoi më 16 nëntor se atyre, që do të marrin dy vaksina, do t’u jepet një pagesë me rreth 33 euro.

Marrë nga euronews, përshtatur për Albanian Post. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore