Lajme

Covid-19, Franca zgjat intervalin ndërmjet dy dozave të vaksinës


Franca do të zgjasë periudhën midis marrjes së dozës së parë dhe të dozës së dytë të vaksinave që përmbajnë molekulën mRNA. Periudha e marrjes së dozës së dytë  do të kalojë nga 4 në 6 javë. Kjo masë do të merret që nga data 14 prill. Ministri i Shëndetësisë në Francë, Olivier Veran, deklaroi se synohet të përshpejtohen ritmet e fushatës së vaksinimit.

Edhe pse autoriteti i lartë shëndetësor në Francës këshilloi një periudhë gjashtë javore midis dy dozave në muajin janar në mënyrë që furnizimet të zgjasnin më shumë , në atë kohë qeveria franceze deklaroi se nuk kishte të dhëna të mjaftueshme se si do të performonin vaksinat nëse marrja e dozave do të bëhej me një interval më të gjatë.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Franca mund ta marrë këtë hap në mënyrë të sigurt, pasi është duke vaksinuar një grupmoshë më të re.

Franca ka aprovuar përdorimin e vaksinave mRNA Pfizer / BioNTech dhe Moderna.

Veran-i  tha se nga 12 prilli AstraZeneca do të vihet në dispozicion për të gjithë të moshuarit mbi 55 vjeç.

Pas probleme me ritmet e vaksinimit, shpërndarja e vaksinave në Francë  po ecën me sukses. Është arritur  objektivi i marrjes së 10 milionë dozave të para, një javë përpara mesit të prillit. Qeveria franceze synon të arrijë të shpërndajë 10 milionë doza të tjera deri në mes të muajit maj.

Ministri i Shëndetësisë konfirmoi se më 12 prill Franca do të marrë 200 mijë dozat e para të vaksinës Johnson & Johnson. Franca do t’i marrë këto doza një javë më herët nga sa ishte parashikuar.

Numrat  e personave që gjenden në reanimacion vazhdojnë të rriten. Pritet që Franca të kalojë pragun e 100 mijë vdekjeve këtë javë. Më 10 prill u raportuan 43 mijë raste të reja me COVID-19. Deri më 11 prill 5 mijë e 769 qytetarë pacientë ndodhen në gjendje kritike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore