Sport

Conference League/ Kualifikohen Kobenhavn-i, Feyenoord-i, Rennes-i dhe Qarabag-u, ngec Tottenham-i


Përfunduan tetë ndeshjet e dyta për këtë të enjte në UEFA Conference League, ato të orës 18:45. Union Berlin-i, Kobenhavn-i, Mura dhe HJK-ja kanë arritur të marrin tri pikët e radhës.

Mes 16 skuadrave që luajtën, katër prej tyre arritën të siguronin kualifikimin për në raundin tjetër të Conference League, kur ka mbetur dhe një ndeshje nga përfundimi i fazës së grupeve.

HJK-ja ka fituar minimalisht 1-0 përballë Alashkert-it. Edhe pse fituan, finlandezët e shohin veten jashtë raundit tjetër të këtij kompeticioni, së bashku me Alashkert-in.

Union Berlin-i fitoi minimalisht 1-0 në fushën e Maccabi Haifa-s. Asnjëra prej skuadrave nuk është kualifikuar deri më tani dhe do të duhet të pritet rezultati i ndeshjeve të fundit për të mësuar fatin e tyre.

Slavia Praha ka barazuar në shifrat 2-2 me Feyenoord-in. Një nga golat e vendasve u shënua nga ish-lojtari i Bylisit dhe Skënderbeut në Shqipëri, Peter Olayinka.

Feyenoord-i është kualifikuar për në raundin tjetër falë këtij barazimi. Slavia do të duhet të presë edhe ndeshjen e fundit për të mësuar nëse do të shkojë më tej, apo do të mbyllë aventurën në Kupat e Evropës.

Danezët e Kobenhavn-it fituan 4-0 në transfertë përballë Loncoln Red-it. Fitore e cila i kualifikon në raundin tjetër. Modestët nga Gjbraltari ende nuk e kanë shijuar pikën e parë në fazën e grupeve.

Slovan Bratislava ka barazuar pa gola me PAOK-un. Të dy skuadrat kanë nga tetë pikë në renditje dhe do të duhet të presin ndeshjen e fundit për të mësuar se cila prej tyre do të shkojë më tej.

Tottenham-i ka marrë një humbje surprizuese në shifrat 2-1 në transfertë ndaj Mura-s. Sllovenët morën fitoren dhe pikët e para në fazën e grupeve edhe pse nuk mund të kualifikohen për në raundin tjetër. Ndërkohë, Tottenham-i do të duhet të luajë ndeshjen e fundit për të mësuar fatin në Conference League.

Rennes-i ka barazuar në shifrat 3-3 me Vitesse-n. Francezët kanë kaluar në raundin tjetër, falë këtij barazimi. Holandezët, ashtu si dhe Tottenham-i që është pjesë e këtij grupi do të duhet të presin ndeshjen e fundit për të mësuar fatin e tyre në këtë kompeticion.

Qarabag-u ka barazuar në shifrat 2-2 me Omonia-n. Një ndeshje që vlente më shumë për statistikë, pasi vendasit e Qarabag-ut janë kualifikuar më herët, për në raundin tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore