Lajme

Çollaku: “Dialogu Kosovë-Serbi ishte sipërfaqësor, u përdor për qëllime të brendshme politike”


Ish-ministri i Kosovës për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku

Ish-ministri i Kosovës për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e ka cilësuar si në fazën më të vështirë sa i përket arritjes së një marrëveshje përfundimtare.

Çollaku, i cili ishte ish-këshilltar i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, konsideron se Qeveria e tanishme e udhëhequr nga Albin Kurti nuk i ka prioritet bisedimet me Serbinë, dhe se takimet mes dy palëve negocuese kanë qenë të detyruara nga komuniteti ndërkombëtar.

Në negociatat me Serbinë që nga Qeveria Kurti II, Çollaku thotë se “ka pasur tendeca për të rihapur çështjet teknike” dhe se “dialogu ka qenë vetëm sipërfaqësor, i përdorur për qëllime të brendshme politika”.

Sipas tij, Kosova vetëm sa e ka thelluar izolimin e saj me qasje të këtillë.

“Tre palët janë për t’u fajësuar për stagnimin e dialogut. Kosova, Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar, të cilët, duke parë që Kosova dhe Serbia nuk janë të gatshme për një marrëveshje përfundimtare, nuk kanë përdorur mekanizmat e bërjes presion ndaj tyre”, është shprehur Çollaku për EuroNews Albania.

Ai thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse jo ndërmjetësues zyrtarë në këtë proces bisedimesh, kanë qenë prezent në secilën marrëveshje të arritur gjatë procesit.

Në lidhje me nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, ai e ka cilësuar si problematikë të veçantë që nga themelimi i saj në Novi Sad të Serbisë, ku Kosova nuk ishte ftuar.

“Kjo nismë o’ duhet të funksionojë për gjithë ose për askënd”, është shprehur Bekim Çollaku.

Sipas tij, zgjidhja për Kosovën do të ishte që të bëhet anëtare e pjesshme e kësaj iniciative, dhe t’i respektojë obligimet vetëm ndaj vendeve që kanë njohur pavarësinë e saj.

“Kosova mund të bëhet anëtare e pjesshme dhe të heq barrierat kufitare me Maqedoninë Veriore, Shqipërinë dhe Malin e Zi, në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të mos e akuzojë për heqjen e kufijëve Kosovë-Shqipëri si krijim të një ‘Shqipërije të Madhe’”, ka thënë ish-ministri kosovar, Bekim Çollaku.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore