Gatimi

Çokollata e zezë, shije dhe përfitime në një


Të gjithë kemi dëgjuar për cilësitë dhe vetitë e shumë përmendura të çokollatës së zezë. Adhuruesit e çokollatave gëzohen kur mësojnë për përfitimet e antioksidantëve që gjenden në këtë ëmbëlsirë.

Por është e rëndësishme të kuptohet që jo të gjitha llojet janë njësoj të shëndetshme dhe ushqyese.

Çfarë përmban çokollata e zezë?

Në fakt, përfitimet shëndetësore të çokollatës së përpunuar dhe shumë të ëmbël janë të pakta ose asnjë. Ndërsa përfitimet shëndetësore të çokollatës së zezë janë të shumta dhe mbresëlënëse, por jo gjithmonë.

Çokollata e zezë është e pasur me pluhur kakao. Kjo një përzierje përbërësish që mbeten pasi gjalpi i kakaos shtrydhet nga kokrrat e kakaos.

Përbërësi kryesor në konfeksionet dhe shurupet e çokollatave është pikërisht pluhuri i kakaos. Ky i fundit përmban përbërës të njohur si Flavonol.

Prania e tij krijon shijen e hidhur. Por që është shumë e shijshme për konsumatorët dhe preferuesit e saj.

Cili është funksioni i Flavonol?

Kur flavonol gjendet në nivele të larta në çokollatë, ai ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe kolesterolit. Po ashtu, përmirëson aftësitë njohëse dhe ul rrezikun e sëmundjes së diabetit.

Përmbajtja ndryshon midis markave të çokollatave. Ndonëse, prania e tij në sasi të caktuara krijon mundësinë për zgjedhje më të shëndetshme sesa çokollatat me shumë qumësht dhe sheqer.

Një arsye për ta preferuar më shumë çokollatën e zezë nga llojet e tjera është se niveli i lartë i pluhurit të kakaos kontribuon me minerale si kalcium, bakër, hekur, magnez, fosfor, kalium dhe zink.

Fakte interesante për çokollatën e zezë

Para se të vendosni të blini dhe konsumoni çokollatë të zezë, këshillohet të mbani mend disa fakte interesante dhe të rëndësishme.

Blini çokollatë që është të paktën 60% kakao. Çokollatat me përqindje më të lartë kakaoje kanë më pak sheqer dhe yndyrë. Gjithashtu, sa më e lartë të jetë përqindja, aq më shumë flavonol do të ketë në përbërje.

Zgjidhni kakao natyrale mbi kakao të përpunuar. Kjo pasi kakao i përpunuar i jep çokollatës aromë të lehtë, por heq ekstraktet e flavonol që janë shumë të shëndetshëm për organizmin.

Nëse jeni duke gatuar, zgjedhja e kakaos do të varet nga receta dhe aciditeti i përbërësve së saj.

Për të mbajtur peshën në kontroll përmes niveleve optimale të sheqerit dhe yndyrës, kufizoni konsumin e çokollatës së zezë në 28 gramë çdo ditë, ose rreth 150 kalori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore