Shqipëria

Ç’ndodh në botën e imazheve jo-realiste dhe perceptimeve të shtrembëruara?


Si zgjatime të nevojës për të ndërvepruar dhe për miratim social, mediat sociale e kanë riformësuar edhe njëherë përditshmërinë.

Me vëmendjen që nuk u kursehet, këto forma të reja komunikimi – thuajse të pashmangshme – janë bërë pjesë edhe e mënyrës së jetesës së më të vegjëlve.

Kudo mund të shohësh fëmijë me telefona nëpër duar dhe me platforma si TikTok-u apo Instagram-i të lëna të hapura dhe pa kurrfarë filtri mbrojtës.

Nga ana tjetër, nuk janë të padukshme as skena ku ata kërkojnë të irrituar të qëndrojnë më gjatë në to.

Ndaj ndikimi që ushtrojnë mediat sociale te këto grupmosha nuk duhet anashkaluar se nuk është i paktë.

Lidhur me dëmet psikologjike të varësisë te fëmijët, “Albanian Post” ka kontaktuar me psikologen Elona Braçja për të shkuar në të thella të këtij fenomeni të përhapur edhe në Shqipëri.

Sipas psikologes, mediat sociale janë kthyer në një trend të kohës, ama edhe në një varësi të madhe psikologjike për të gjithë. Sidomos te fëmijët.

“Një varësi kjo, që ka ndikim të pallogaritshëm në shpenzimin e kotë të kohës së tyre fizike. I shkëput ata nga realiteti, i distancon nga gjithëpërfshirja psiko-sociale”, dallon ajo.

Ekspozimi i shumëkujt nëpërmjet filtrave të ekzagjeruar dhe jo-realiste, sipas saj, e dëmton rëndë shëndetin mental të fëmijëve.

Po ashtu shtrembëron imazhin dhe perceptimin e tyre për realitetin.

E gjitha kjo sepse “bota virtuale është një realitet dhe ajo reale realitet tjetër”.

“Kur ata dalin nga bota e përkryer e mediave sociale dhe përballen me realitetin e vërtetë, mendojnë se të dyja këto botë janë njësoj”, tregon Braçja.

Këtu merr jetë edhe vet problemi.

“Kjo është faza kur shëndeti i tyre mendor përjeton një disbalancë, në një konflikt social, psikologjik dhe ndëpersonal”, veçon ajo, çka rezulton në ankth dhe stres psikologjik.

Psikologia ravijëzon se avancimet teknologjike kanë ndikuar në ftohjen e raporteve të përditshmërisë së çdo grupmoshe, veçanërisht të fëmijëve.

“Më përdorimin e mediave sociale, dukuria e bullizmit kibernetik është në rritje sepse me komunikimin online shtohet mundësia për kontakt me të panjohur dhe rrjedhimisht, dukuritë negative kanë më shumë probabilitet për të ndodhur”, sqaron ajo.

Paçka se në një mjedis të tillë social, vështirësitë për t’ju shmangur episodeve të padëshiruara duken të pamundura, psikologia ofron disa rekomandime.

Për të, asgjë nuk është e pamundur. Edhe pse zhvillimi teknologjik është goxha i vrullshëm.

“Sa më pak kohë e harxhuar në mediat sociale. Kjo është zgjidhja”, thekson ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore