Kosova

“Çmontim i sofizmit të Kurtit, paaftësi në të menduar”: Reagime për huqjen e kryeministrit “gjeni” në matematikë


Albin Kurti

Një huqje trashanike e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në vend. Disa e cilësuan “ekspozim të sofizmit” të kreut të ekzekutivit, kurse disa të tjerë konsideruan se ky rast zbulon në thelb edhe stilin e tij të politikbërjes: “vepron pa u menduar fare”.

Gjatë inaugurimit të shkollës fillore “Ali Hadri” në Podujevë, të mërkurën, kryeministri kosovar – i cili ka diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës – brenda një klase u përpoq të zgjidhte një problem matematikor, përkatësisht një ekuacion me një të panjohur (X).

Sigurisht, gabimi nuk kaloi pa u vënë re nga matematicientët. Ai arriti në përfundimin se X-i është 5. Përgjigja e saktë e ekuacionit doli të jetë 0. Për avokatin kosovar, Dastid Pallaska, ekspertët matematikorë ekspozuan sofizmin e Kurtit nëpërmjet së cilit edhe i fitoi zgjedhjet 4 vjet më parë.

“Sofizmi është i rrezikshëm edhe për shkak se i bën sofistët të duken të mençur edhe pse nuk janë”, deklaroi Pallaska nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën në mbrëmje. “Përmes sofizimit, një mashtrues ordiner mund të duket intelektual apo shkencëtar apo politikan vizionar”.

“Për shembull, në zgjedhjet e 14 shkurtit, ai i bindi mbi 50% të votuesve se periudha kohore 1999 – 2021 ka qenë më e keqja në historinë e Kosovës. Kjo përkundër faktit të pamohueshëm se gjatë kësaj periudhe vendi ishte çliruar dhe pavarësuar për herë të parë në historinë e vet”, shtoi avokati kosovar, ndërsa kritikoi partitë opozitare, që, sipas tij, pranuan sofizmin e Kurtit.

“Fitimi i lehtë i betejave politike me opozitën që iu nënshtrua sofizmit të tij, nxiti Kurtin që sot sofizmin ta praktikojë në një shkencë ekzakte, matematikë, për të cilën kishte pretenduar se është ‘gjeni’”, nënvizoi ai.

E për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe studiuesin e filozofisë, Afrim Kasolli, gabimi i Kurtit në matematikë zbulon edhe stilin e tij të politikbërjes: “Pra, kryeministri e pranon se këtë gabim e ka bërë sepse nuk ka menduar fare. Dhe mos ky rast e zbulon edhe stilin e tij të politikbërjes, ku thjesht vepron pa menduar fare? Nga i pulson kjo paaftësi për mendim?”.

“Ai i afirmon thashethemet, propagandën, slloganet dhe klishetë si mjete të luftës politike. Shndërrimin e gjuhës vetëm në artileri të degradimit të atyre që nuk jane konform shtratit të prokrustit të tij politik. Dhe është kjo qasje që e tjetërson edhe gjuhen nga mjetet e mirëkuptimit reciprok në kategori instrumentale për perfitime politike”, ka shtuar mes tjerash Kasolli.

Kryeministri i Kosovës kërkoi falje për gabimin e bërë në zgjidhjen e këtij ekuacioni, të cilin vetë e cilësoi të thjeshtë, duke shtuar se “jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore