Shqipëria

Çmimet e karburantit do të mbeten të larta me vite, thotë Xhepa për Albanian Post


Jo vetëm lufta në Ukrainë, por edhe elementë të ndryshëm të politikbërjes sa u përket çështjeve të klimës, po bëjnë gjithnjë e më shumë që çmimi i hidrokarbureve të shkojë në shifra të larta historike, duke shkaktuar jo pak shqetësim te qytetarët.

Mbi të gjitha, në Shqipëri, më shumë se ndokund tjetër në rajon, ky efekt po reflektohet te çmimi i karburantit dhe, ndonëse në bursa luhatjet nuk janë marramendëse, në tregun vendas prej kohësh është parë veçse rritje, me litrin e naftës, i cili ka arritur edhe në deri 269 lekë.

Mbi këtë çështje dhe politikbërjen, Albanian Post ka kontaktuar me ekspertin e ekonomisë, njëkohësisht president i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa, i cili ka shpjeguar jo vetëm situatën aktuale, por edhe skenarë të pritshëm në të ardhmen.

Selami Xhepa, president i Universitetit Europian të Tiranës

Sipas profesorit të ekonomisë, dy karakteristika janë të reflektuara mbi faktin se pse çmimi në Shqipëri rritet, kur në bursa është i qëndrueshëm.

I pari, lidhet me kërkesën e tregut, e cila vijon të mbetet joelastike, pavarësisht çmimeve të larta, gjë që i lejon tregtarët të ruajnë çmime dhe fitime të larta.

Aspekti i dytë lidhet me mungesën e theksuar të konkurrencës në tregtimin e këtyre produkteve.

“Të dyja këto karakteristika të tregut, së bashku me mungesën e mbikëqyrjes dhe monitorimit të tregut, ose dhe të praktikave të konsoliduara administrative të formimit të çmimeve të mallrave të rregulluara, siç janë praktikat e tregtimit të mallrave me karakteristikat e të mirave monopol, bëjnë që në vendin tonë çdo rritje e çmimit të reflektohet menjëherë, ndërsa rënia e tyre është shumë më e vështirë dhe ngadaltë”, shpjegon më tej ai.

Skenari afatgjatë

Për Xhepën, gjasat janë se, çmimet e karburanteve do të mbeten mjaft të larta edhe në vitet që vijnë.

Kjo, sipas tij, jo vetëm për shkak të luftës në Ukrainë dhe zhvillimeve gjeopolitike të paprecedentë, pasi një rol po e luajnë edhe faktorë më afatgjatë, që kanë të bëjnë me tranzicionin energjetik.

“Kalimi drejt energjive të rinovueshme ka ngadalësuar ose ndaluar investimet në eksplorimin e fushave të reja të nxjerrjes apo përpunimit të lëndëve djegëse”, tregon Xhepa. “Kjo bën që edhe në terma afatgjatë, kërkesa e lartë që do të ketë ekonomia botërore, do të kufizohet nga oferta e pamjaftueshme”.

Pra, çmimi do të vijojë, në mos të rritet edhe më tej, të mbetet në të njëjtin nivel të lartë që është edhe aktualisht.

Politikbërja në Shqipëri

Kritika të shumta janë hedhur shpeshherë ndaj Qeverisë dhe mënyrës se si ajo po vepron me menaxhimin e rritjes së çmimit të naftës në vend.

Kritika, po ashtu, kanë shkuar edhe mbi ngritjen e një “Bordi Transparence”, i cili mblidhet rregullisht dhe vendos çmimet tavan për hidrokarburet, në shitjen me pakicë e shumicë.

Parimisht, sipas ekspertit të ekonomisë, nuk është për t’u habitur që çmimet e larta të naftës dhe gazit kanë një efekt disproporcional më të lartë në aftësinë konkurruese të ekonomisë në krahasim me vendet e zhvilluara, pasi në Shqipëri, duke qenë një ekonomi në zhvillim e sipër, pasi lidhet edhe me problemet themelore të aftësisë së ekonomisë për të krijuar rritje më të shpejtë përmes rritjes së intensitetit energjetik.

Ndaj, për këtë arsye, formimit të çmimeve dhe konkurrencës në këtë treg i duhet kushtuar vëmendje shumë serioze.

Për Xhepën, nisur nga kjo premisë, vendimmarrja për çmimet e naftës, duhet t’i kalojë në këto kushte Autoritetit të Konkurrencës.

Tri arsye e shtyjnë ekspertin të shkojë drejt kësaj zgjidhje.

E para, lidhet me faktin se nafta dhe gazi janë pjesë e mallrave energjetike.

E dyta, lidhet me faktin se autoriteti është i pavarur nga Qeveria.

Ndërsa, arsyeja e tretë, lidhet me faktin se kështu do të krijohej besueshmëri më e lartë, për shkak të praktikave më transparente të vendimmarrjes.

Ndër të tjera, ekonomisti shpjegon edhe një aspekt tjetër, që ka të bëjë me indeksimin e llogaritjes së barrës tatimore me inflacionin.

“Kjo krijon një efekt kaskadë në çmimin final, duke e rënduar seriozisht barrën fiskale mbi këtë produkt”, shpjegon ai.

Në vëmendje sjell edhe shembuj nga vende të tjera, si rasti i Gjermanisë, e cila së fundmi ngriu një pjesë të akcizës mbi çmimin e naftës, apo përgjysmimi i TVSH-së për këtë produkt në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

“Është vrastare për një vend me të ardhurat që ka një familje shqiptare apo biznes vendas, të përballojë kostot tepër të larta që janë krijuar nga kjo situatë e çmimeve në treg”, mendon Xhepa.

Ndaj, zgjidhja, për të, është rregullimi edhe në aspektin e sigurisë energjetike, rezervave dhe mobilimin e tyre.

E gjitha kjo, në linjë me direktivat evropiane të tregut në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore