Lajme

Clinton për situatën në veri: Keq për demokracinë, po i frustron të gjithë dhe po i fton palët në vetë-shkatërrim


Bill Clinton

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ka thënë se situata e tensionuar në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, përveç se po i mban Kosovën dhe Serbinë në “ngërç”, të dy popujt ballkanikë po bëhen gjithnjë e më të frustruar me këtë situatë, që sipas tij, mund të çojë në “vetë-shkatërrim”.

Në një prononcim për gazetën prestigjioze britanike “Financial Times”, njeriu që ishte në krye të shtetit më të fortë në botë në kohën kur NATO-ja bombardoi Serbinë dhe Malin e Zi për shkak të Kosovës, ndau përshtypjet e tij për gjendjen e tendosur në marrëdhëniet mes palëve tash e sa kohë.

“Është keq për demokracinë në kohë afatshkurtër dhe për jetën e përditshme të njerëzve atje. Dhe (kjo) po i mban shtetet jo vetëm në ngërç por edhe duke e ftuar secilin të bëhet më i frustruar dhe të bëjë gjëra vetëshkatërruese”, ka thënë ish-presidenti Clinton.

Ndryshe, energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi. Mjafton një shkëndijë e vetme – qoftë kjo shkëndijë shprese, zgjuar nga veprime politike të bëra me pahir, qoftë shkëndijë zemërimi, zgjuar nga një armë e shkrepur në çastin e papërshtatshëm – dhe ajo shpërthen.

Po qe se dëshirohet të shmanget konflikti i mëtejmë, mësimi nga ky episod i dhunshëm në veri të Kosovës është se kërkohet angazhim i hershëm para se njëra apo pala tjetër t’i futen spirales së dhunës dhe të bëjnë që zgjidhja e balancuar në frymën e kompromisit të jetë e pamundur.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore