Kosova

Clark i impresionuar nga “demokracia në Kosovë”


Pritja nga garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës për ish-gjeneralin amerikan, Wesley Clark

I ftuar nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ish-gjenerali amerikan, Wesley Clark, ka arritur në Kosovë.

Përkrah ministrit Mehaj, Clark, u prit me nderime të larta nga garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët ishin përgatitur për një ceremoni madhështore për prijësin e aksionit bombardues mbi Serbinë mbi 22 vjet më parë, si komandant Suprem i Forcave të NATO-s.

Pas kësajë ceremonie, foltores iu drejtua Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, i cili tha se ndihet i nderuar me vizitën e ish-gjeneralit Clark në ministrinë që ai drejton.

“Sot kemi nderin dhe privilegjin të presim gjeneralin historik Wesley Clark në Ministrinë e Mbrojtjes. E informova gjeneral Clarkun për punën e Ministrisë dhe të FSK-së. FSK-ja ka për synim integrimin në NATO. Ne i kemi djemtë në Kuvajt. Kisha nderin ta ndaj me gjeneralin, ngritjen e buxhetit nga ana e qeverisë për të ngritur kapacitetet e FSK-së”.

“Është personalitet i lartë për historinë e Kosovës”, tha më tej Mehaj.

Pasi morri fjalën mysafiri nga Amerika, tha se e ka përcjellë zhvillimin e Kosovës me vite të tëra, “si në fushën e demokracisë ashtu edhe në atë ekonomik”.

“Dua ta falënderoj ministrin dhe ushtrinë për një pritje të përzemërt. Jam i nderuar që jam këtu, jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, kjo është hera e parë që e kam vizituar Ministrinë e Mbrojtës. Jam shumë i impresionuar me përparimin e Kosovës që ka bërë ndër vite të cilin e kam përcjellë, është një marsh shumë impresionues për në demokraci dhe liri”.

“Unë shpresoj se do të ketë rritje të ekonomisë për njerëzit e Kosovës. Njerëzit e Kosovës kanë shfaqur një shembull për të gjithë botën se vendosmëria e tyre për të jetuar, punuar dhe për t’i shërbyer demokracisë, ka kuptim për një shtet. Jam shumë krenar që jam këtu sërish”, ka thënë Clark.

Ai uroi formimin e qeverisë së re.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka emëruar shkollën e oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës si Qendra e Studimeve Universitare “Welsey Clark”.

Këtë ministri e bëri të ditur në një konferencë për media pas takimit që zhvilloi me gjeneralin amerikan.

“Për nder të gjeneralit historik do të emërojë shkollën tonë të oficerëve me emrin Qendra e Studimeve Universitare “Welsey Clark”, ka thënë Mehaj.

Ushtaraku amerikan, gjatë ditës së mërkure është takuar edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore