Rajoni

Ç‘kuptim kanë zgjedhjet nëse maqedonasit përcaktojnë se kush i përfaqëson shqiptarët, thotë Ahmeti  


Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një konferencë për media të mërkurën, ndërsa ka komentuar marrëveshjen politike në mes të koalicionit “VLEN” – humbësit të zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në kampin shqiptar – dhe partisë nacionaliste maqedonase VMRO – DPMNE, ka deklaruar se nuk ka asnjë kuptim demokracia nëse komuniteti shumicë përcakton se kush i përfaqëson shqiptarët.

Ahmeti ndërsa potencoi se Fronti Evropian ngadhënjeu si koalicion fitues në zgjedhjet presidenciale me diferencë prej 40 mijë vota, ndërsa në ato parlamentare me mbi 31 mijë vota në raport me koalicionin VLEN, vlerësoi se këto rezultate po cenohen nëpërmjet inxhinjeringut zgjedhor.

“Përkundër të gjitha argumenteve dhe numrave e rezultateve, edhe me deputetë, edhe me numra absolut votash, edhe me fitore në dy të tretat e komunave, humbësit e zgjedhjeve, pa legjimitetin e sovranit, u nënshtruan tërësisht duke injoruar vullnetin e popullit”, tha fillimisht ai në një konferencë për media, një ditë pasi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut u zgjodh nga radhët e koalicionit “VLEN”.

Në këtë kontekst, sipas tij, qytetarët po pyesin, se “ç’kuptim ka demokracia në vendin tonë nëse komuniteti shumicë përcakton se kush i përfaqëson shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët dhe komunitetet tjera?”.

“Pse këto komunitete duhet të organizohen në parti politike dhe te marrim pjesë në zgjedhje për ta fituar legjitimitetin e bashkëkombësve të tyre nëse, pa marrë parasysh vullnetin e komuniteteve tona, për ata vendos sipas preferencave dhe para-pëlqimeve partia më e madhe maqedonase?”

Kjo mendësi e ky veprim vazali, sipas Ahmetit, e kthen vendin në kohën para më shumë se dy dekadave kur komunitetet diskriminoheshin, trajtoheshin si qytetarë të rendit të dytë.

“Kur nuk respektoheshte vullneti i votës së lirë të komuniteteve, por të tjerë vendosnin për ne. Kur nuk respektohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit, kthehemi në sisteme dhe kohëra tjera që bashkërisht i kemi braktisur”, ka shtuar ai.

Në vlerësimin e Ahmetit mos-respektimi i legjitimitetit, është poshtërim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve.

“Këtë poshtërim, për fat të keq, po e mundësojnë edhe ca që firmosën deklaratë të përbashkët me ne, që deklaruan publikisht disa herë që nëse humbasin me një votë e me një deputet më pak, do të tërhiqen”.

Ahmeti ndër të tjera gjatë fjalimit të tij ka ftuar qytetarët të bashkëngjiten përpjekjeve të Frontit Evropian për “mbrojtjen e votës, legjitimitetit dhe frymës së Marrëveshjes së Ohrit”.

“Vota juaj nuk guxon të shkojë huq dhe ne jemi këtu bashkë që t’i prijmë fitores tuaj dhe ta zbatojmë vullnetin tuaj fitimtarë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore