Libra

Çka është Iluminizmi?


Immanuel Kant, Çka është Iluminizmi?

Në vitin 1784, në një ese të shkurtër, por paradigmatike, filozofi gjerman Immanuel Kant, shtroi një prej pyetjeve, përgjigjen e së cilës edhe pas afro 240 vitesh vështirë se e kemi të lehtë ta kemi, për të mos thënë të pamundur.

Pyetjes së tij “Was is Aufklärung?”, se çka është iluminizmi, ai i kishte dhënë përgjigjen sapere aude!, që do të thotë ‘guxo të dish!’

Për Kantin, iluminizmi është përpjekja heroike e individit për tu çliruar nga kthetrat e tutelës së të tjerëve, për të menduar me kokën tonë, për tu çliruar nga kushtet barbare të injorancës. Kjo pyetje karakterizon të gjithë epokën, që në historinë perëndimore e njohim si “Epoka e Iluminizmit”.

Me Kantin, është lehtë të mendojmë se koha jonë është një kohë e emancipuar, ku i kemi zhbërë autoritetet e errëta të injorancës, dhe se jemi në një epokë post-iluministe. Mirëpo, sado e lehtë që të jetë që të gjejmë paqe në rehatinë e kësaj përshtypje, realiteti aktual është në antagonizëm me këtë bindje.

Filozofi francez, Michel Foucault, në fakt, në vend se ti përgjigjej kësaj pyetje, konsideron se e gjithë filozofia moderne mund të përkufizohet “në bazë të synimit të saj për t’iu përgjigjur pyetjes së shtruar para dyqind vjetësh, pyetjes se ‘Çka është iluminizmi?’”.

E gjithë filozofia moderne, mund të themi, se është moderne vetëm duke u ngatërruar në atë që shpesh quhet “ngjitja e dyfishtë e Iluminizmit”.

Filozofia, për të çliruar mendjen e njeriut nga kthetrat e injorancës, prodhon dije dhe perspektiva kritike të atij niveli kritik, me të cilin kritikon edhe vetë nivelin kritik të vetes, por edhe vetë Iluminizmin.

Iluminizmi i proklamuar nga mendimtarët e shekullit të tetëmbëdhjetë synonte t’a lironte njeriun nga injoranca, besëtytnia, dhe t’a bënte njeriun mjeshtër të natyrës, duke prodhuar atë lloj dije që ishte më e dobishmja.

Iluministët, në rend të parë, kishin për mision të demistifikonin të gjitha format e dijes që kishin gjak teologjik dhe metafizik, të rrënjosura në traditë, dhe për ta fuqizuar dijen në përgjithësi.

Megjithatë iluminizmi bie në kurthin e vetë kur tenton të mendojë se dija, si dije, mund të tejkalojë nivelin e përfytyrimit të botës, dhe të ngritet në piedestalin ideal dhe absolut të autoritetit epistemologjik, e të shndërrohet në mit, çka pikërisht ka synuar të rrënojë, mitet e së kaluarës.

Kështu së paku argumentojnë filozofët Theodor Adorno dhe Max Horkheimir në veprën e tyre “Dialektika e Iluminizmit”.

Ata argumentonin se Iluminizmi ishte transformuar në Mit, arsyeja ishte fuqizuar aq shumë, dhe ishte krijuar një ideologji racionalizimi edhe një teknologjizim i tmerrshëm mjeshtërimi.

Adorno dhe Horkheimer, nuk është se kritikën e tyre e ndërtojnë mbi iluminizmit e shekullit të XVIII, por ndaj kulturës moderne.

Ata synojnë që Iluminizmin ta çmitizojnë nga miti i arsyes, dhe t’ia rikthejnë potencialin kreativ të tij, dhe se krejt misioni iluminist në fakt ishte krijuar pikërisht për të gjitha llojet e çmitizimit, përfshirë edhe instrumentin çmitizues, që është mendja.

Kjo, në fakt, përbën edhe atë “ngjitjen e dyfishtë të iluminzmit”, që është thënë më lart.

Pyetja e Kantit “Was ist Aufklärung”, është në fakt një pyetje moderne, për të mos thënë post-moderne, dhe se në fakt, i gjithë diskursi ynë kritik, nuk duhet të zhbëjë kritikën as ndaj vetë bazës mbi të cilën kritikojmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore