Kosova

Çitaku viziton Thaçin në Hagë: Kosova do të bëhet sepse është ngritur mbi shpatullat e gjigantëve


Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, njoftoi nëpërmjet një postimi në “Facebook” për një vizitë të realizuar në Hagë të Holandës, ku takoi ish-presidentin kosovar, Hashim Thaçi, i cili që nga viti 2020 është në burg nën akuzat e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) për krime të pretenduara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Në korridoret e pafundme të burgut në Hagë, atmosfera është e zymtë dhe e ftohtë. Më irritojnë zhurmat e dyerve të hekurta që hapen njëra pas tjetrës. Sikur duan të ma përplasin fytyrës: këtu është e burgosur një pjesë e historisë dhe lavdisë së Kosovës!”, nis rrëfimin Çitaku, derisa tregon për bisedën që zhvilloi me ish-kreun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Pamja, disponimi dhe humori i Presidentit ishte pikërisht ai që prisja të shihja. Në 25 vjetorin e çlirimit, flasim për të kaluarën, betejat e panumërta, që ai dhe shokët e tij i zhvilluan në përpjekjet për liri. Kujtojmë sakrificat e popullit tonë, gjakun e derdhur të dëshmorëve dhe martirëve. Të qindra fëmijëve – ëndrrat e të cilëve u prenë në gjysmë nga një regjim gjenocidal”.

“Biseda kthehet në të tashmen. Përkundër sfidave, Presidenti natyrisht, si gjithmonë, flet me bindje për të ardhmen e ndritur të Kosovës. Vizioni i tij mbetet i qartë. Besimi i tij në popullin tonë, i palëkundur. Pavarësisht hekurave, shpresa dhe aura e tij më mbushin frymëzim”, shton Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së ‘zbulon’ kombëtaren për të cilën bën tifo ish-presidenti Thaçi në kapionatin evropian Euro 2024 të futbollit: “Më tregoi që po e përcjellë aq sa mundet e kur po ka kohë. E pyeta kënd po e mbështetë? Dihet, më tha” – kjo “dihet” duket të jetë referencë për Shqipërinë.

“Koha kalon shumë shpejt. Derisa përgatitem të largohem, në qëndrimin e Presidentit nuk shoh një të burgosur. E shoh një burrështetas, trashëgimia e të cilit nuk mund të njolloset nga askush dhe asgjë… Kosova do të bëhet – sepse është ngritur mbi shpatullat e gjigantëve. Presidenti Thaçi më la edhe një herë me një të vërtetë të pamohueshme: Dielli do të lind përsëri!”.

Ndryshe, ish-presidenti i Kosovës dhe ish-luftëtarët tjerë të luftës çlirimtare akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999, ndërsa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore