Kosova

Çitaku pas raportimit të AP-së: Gjenitë e diplomacisë filluan të merren edhe me kualitetin e diplomacisë gjermane


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi Albanian Post ka publikuar një artikull ku thuhet se Zëvendës-kryeministrja e Kosovës dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Gjermania që ta largojë nga Kosova ambasadorin aktual të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

“Pasi e futën Kosovën nën sanksione, e izoluan dhe i cenuan ndjeshëm aleancat më jetike që kemi si shtet, gjenitë e diplomacisë kosovare paskan filluar të merren edhe me kualitetin e diplomacisë gjermane”, shkroi ajo në Facebook.

Tutje, ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka theksuar se “si shoqëri, një pyetjeje duhet t’i japim përgjigje”.

A e duam Kosovën anëtare të NATO-s dhe BE-së?”, ka pyetur Çitaku.

“Nëse përgjigjja është po, atëherë urgjentisht duhet ta ndërrojmë timonierin. Nëse përgjigjja është jo, atëherë jemi në rregull, vazhdojmë me hapa të sigurt drejt izolimit, varfërisë dhe marrëzisë”.

Një burim brenda MPJ-së së Kosovës dhe një tjetër brenda Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, kanë bërë të ditur për Albanian Post se kërkesa e Gërvallës u bë në vizitën e fundit të saj në Berlin, ku përveç takimit me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, pati takim edhe me Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius.

Në takimin e 31 janarit me Pistorius, para vizitës së këtij të fundit në Prishtinë, Gërvalla ka shprehur ankesat e saj për Rohde-në dhe punën e tij në Kosovë.

Të njëjtat burime kanë sqaruar se Gërvalla është ankuar që diplomati që përfaqëson Gjermaninë në Kosovë “po ndërhynë/përzihet shumë” dhe se po shkruan shumë në platformën “X”.

“Po shkruan për çështje që nuk i takojnë dhe do të duhej të largohej nga Kosova”, ka qenë kërkesa e Donika Gërvallës.

Por, Rohde nuk është i vetmi gjerman për të cilin është ankuar Gërvalla.

Duke qenë edhe vetë shtetase gjermane, ajo më shumë si qytetare e Gjermanisë e më pak si diplomate e Kosovës, ka shprehur opinionet e saj negative edhe për të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Ekskluzive: Donika Gërvalla i ka kërkuar Gjermanisë ta largojë ambasadorin Jorn Rohde nga Kosova, “po përzihet shumë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore