Lajme

Çitaku: Kurti ka fyer kryeministren italiane, po sillet si analist


Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, po jep intervista si analist, derisa ka thënë se e ka ofenduar kryeministren e Italisë, Georgia Meloni, dhe zëvendësin e saj.

Këto komente, Çitaku i ka bërë, duke u referuar në një intervistë të Kurtit dhënë për mediumin italian “AGI”, ku citohet duke folur për homologen italiane dhe ideologjinë e saj, por edhe zëvendëskryeministrin italian Matteo Salvini.

“Imagjinojeni, Kryeministri i Kosovës jep intervista e sillet si analist i pavarur. Në një intervistë për mediumet italiane, suksesshëm paska arritur të fyej edhe Kryeministren e Italisë Meloni, dhe zv\kryeministrin Salvini”, shkroi Çitaku në Facebook.

Sipas nënkryetares së PDK-së, nuk është detyrë e kryeministrit të Kosovës t’iu bëjë “analizë ideologjike zyrtarëve italianë”, e, siç thekson ajo, “aq më pak publikisht”.

Detyra e tij, vlerëson ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është fuqizimi i raporteve me botën.

“Po kam dëshirë me besu që është ndonjë lëshim nga ana e gazetarit”, përfundoi ajo.

Çfarë tha Kurti në intervistë për median italiane?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë të shkurtër dhënë për mediumi Italian, AGI, në margjinat e Kongresit të Partisë së Socialistëve Evropian (PES), ka potencuar se Kosova ka ende probleme në kufirin me Serbinë.

Problemi me Serbinë, sipas Kurtit, buron nga fakti se “personat të cilët janë pasuruar me luftën janë kthyer në kriminelë”.

“Ata vazhdojnë të pasurohen me kriptovaluta, drogë dhe armë. Ata e mbulojnë biznesin e tyre me ide nacionaliste, por janë ende kriminelë”, ka deklaruar Kurti.

Duke folur për Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – kryeqeveritari ka vlerësuar se anëtarët e kësaj liste flasin për nacionalizëm dhe patriotizëm, por në realitete kanë “ide fashiste dhe lidhje me Vuçiç-in dhe Putinin”.

Kurti, shkruan media italiane, është lider i një partie të lidhur me PSE, derisa shtohet se në Kosovë vuan nga kundërshtimi i ‘Listës serbe’, e cila ka lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë.

“Ata flasin për nacionalizëm dhe patriotizëm, thotë Kurti, “por në realitet kanë ide fashiste dhe lidhje me [Aleksandër] Vuçiç-in dhe [Vladimir] Putin-in”.

Për marrëdhëniet me Italinë Kurti shprehet: “Duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën e kam konsideruar Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të djathtë, me fashizmin. Që kur është bërë kryeministre kam vënë re marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me [Joe] Biden dhe SHBA, mbështetje të bindur për Ukrainën. Jo kështu për Salvinin që ka marrëdhënie me Putin-in”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore