Kosova

Çitaku: Kemi marrë nismën për shkarkimin e bordit të RTK-së


Vlora Çitaku

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka njoftuar se kjo parti ka iniciuar nismën për shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit Publik të Kosovës (RTK).

Këtë, Çitaku e ka bërë të ditur në një konferencë për media të shtunën, disa ditë pasi që RTK-ja publikoi “hulumtimin” skandaloz të medias boshnjake “SlobodnaBosna”, ku pretendohej pas një fakt se dy media në Kosovë (Nacionale dhe Periskopi) financohen e kontrollohen nga Serbia.

“Sa i përket përgjegjësisë së bordit të RTK-së, ne tashmë kemi marrë nismën për shkarkimin e tij në Kuvendin e Kosovës”, tha Çitaku.

“Mocioni për vënien para përgjegjësisë së këtij bordi që nuk e ka guximin që të mbrojë RTK-në dhe standardet e gazetarisë, mbi të cilat duhet të organizohet puna e transmetuesit publik, është e domosdoshme”.

Lidhur me këtë, ajo bëri me dije se grupi parlamentar i PDK-së ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve dhe ky mocion për shkarkimin e bordit do të dorëzohet javën e ardhshme.

“Kjo nismë është e pandalshme”, potencoi Çitaku, “emergjente dhe në funksion të fjalës së lirë e mediave”.

“RTK është e publikut dhe nuk duhet të shndërrohet në instrument të pushtetit për të projektuar, organizuar dhe transmetuar shpifje dhe të vërteta kundër mediave dhe kolegëve të tyre gazetarë, me qëllim që t’iu shërbejë partisë në pushtet në betejën e saj të dëshpëruar për të luftuar fjalën e lirë dhe të vërtetën që publiku duhet ta dijë”.

Sekretarja e PDK-së foli edhe për raportimet se deri në publikimin e këtij lajmi skandaloz në RTK ka qenë e implikuar edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).

Ajo theksoi se “përfshirja e zyrtarëve të AKI-së, ashtu siç po raportohet, duhet të hetohet nga Prokuroria Speciale sa më parë, në mënyrë që të ndriçohet e vërteta”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore