Zgjedhjet në Shqipëri

Cilët janë 140 deputetët e rinj të Parlamentit?


Numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike në zgjedhjet e 25 prillit është thuajse i përmbyllur. Tashmë, shqiptarët kanë një projeksion të plotë të kandidatëve që kanë votuar dhe një projeksion real të atyre që do të jenë pjesë e Parlamentit.

Surprizat më të mëdha vijnë nga kampi socialist, në Qarkun e Tiranës. Jashtë foltores janë lënë dy eksponentë të lartë të Partisë Socialiste: Pandeli Majko dhe Ervin Bushati.

I pari, për shkak të mosthyerjes së herësit, ndërsa i dyti, si pasojë e thyerjes së herësit nga një kandidat i renditur më poshtë në listë. Bushati, në 18-shen fituese të listës socialiste, ishte deputeti me më pak vota të mbledhura.

Deputetët e PS-së në Parlament

Në Qarkun e Beratit, socialistët që futen në Kuvend janë pesë. Hatixhe Konomi, Bardhyl Kollçaku, Fadil Nasufi, Nasip Naço dhe Blendi Klosi, janë ekipi fitues i socialistëve në Berat.

Në Dibër vetëm dy kandidatë dalin nga kampi i PS-së. Ata janë Lavdrim Krrashi dhe Aurora Mara.

Durrësi ndërkaq, sheh tetë socialistë fitues. Ata janë Milva Ekonomi, Alban Xhelili, Jurgis Çyrbja, Klodiana Spahiu, Ilir Ndraxhi, Rrahman Rraja, Lefter Koka dhe Edi Rama. Gjithsesi, kryeministri mund të vendosë ta lërë mandatin e Durrësit për atë të Vlorës, ku është shpallur gjithashtu fitues. Në rast të tillë, Ana Dhamo do ta marrë vendin e tij.

Elbasani sheh fitues Evis Kushin, Elvis Xhoxhin, Besion Ajazin, Dasantila Tahirajn, Saimir Hasallan, Florenc Spahon, Luan Duzhan dhe Taulant Balla.

Fieri do të shohë në sallën e Parlamentit nga kampi socialist, nëntë deputetë. Ata janë: Erion Braçe, Petro Koçi, Lindita Buxheli, Baftjar Zeqaj, Antoneta DHima, Bujar Çela, Ismet Beqiraj, Tatiana Piro dhe Gramoz Ruçi.

Në Gjirokastër, socialistët korrën tre mandate. Mirela Kumbaro, Laert Duraj dhe Bledar Çuçi, do të jenë deputetë. Në Korçë ndërkaq, Enslemvera Zake, Blerina Gjylameti, Ilirjan Pendavinji, Ilir Topi, Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi do të jenë deputetë.

Në Kukës vetëm Gerta Duraku është fituese nga socialistët. Në Lezhë ndërkaq, Lindita Nikolla, Eduard Ndreca dhe Shpresa Marnoj, marrin mandate. Shkodra sheh po ashtu tre mandate, me fitues Edona Bilalin, Paulin Sterkajn dhe Benet Becin.

18 do të jenë deputetët socialistë në Tiranë. Luljeta Bozo dhe Najada Çomo kryesojnë listën. Vijojnë Ogerta Manastirliu, Arben Ahmetaj, Ulsi Manja, Etilda Gjonaj, Arben Pëllumbi, Elisa Spiropali, Belinda Balluku, Toni Gogu, Etjen Xhafaj, Ermonela Velikaj, Xhemal Qefalia, Klotilda Bushka, Alqi Bllako, Eduard Shalsi, Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi.

Vlora do të shohë tetë socialistë në sallë. Ata janë Pranvera Resulaj, Anduel Tahiraj, Vullnet Sinaj, Anila Denaj, Niko Kuri, Ilir Metaj, Damian Gjiknuri dhe Edi Rama. Nëse kryeministri vendos ta lërë mandatin vlonjat, ai i kalon Teuta Ramajt.

Deputetët e PD-së në Parlament

Demokratët në Berat marrin dy mandate. Në sallë do të jenë Tomor Alizoti dhe Kasëm Mahmutaj. Nga Dibra ndërkohë, në Parlament shkojnë tre demokratë: Xhelal Mziu, Kreshnik Çollaku dhe Dhurata Çupi.

Gjashtë mandate janë siguruar nga PD-ja në Durrës. Edi Paloka, Agron Duka, Merita Bakiu, Oerd Bylykbashi, Ferdinant Xhaferaj dhe Andia Ulliri, do të jenë pjesë e Kuvendit.

Në Elbasan, Luçiano Boçi ka qenë i vetmi kandidat, që ka thyer herësin nga demokratët. Gazment Bardhi, Flutura Açka, Lefter Gështenja, Dashnor Sula dhe Zhani Gjergji, i bashkohen atij në Parlament.

Në Fier fitues janë Enkelejd Alibeaj, Eralda Bano, Saimir Korreshi, Luan Baçi, Nusret Avdulla dhe Ilda Dhori. Gjirokastra demokrate sheh fituese vetëm Tritan Shehun.

Edmond Spaho, Sorina Koti, Ervin Salianji, Bledjon Ballbati dhe Seladin Jakupllari janë fitues në Korçë. Në Kukës fitojnë Flamur Hoxha dhe Isuf Çela.

Lezha sheh fitues Mark Markun, Agron Gjekmarkajn, Lindita Metaliajn dhe Kastriot Pirolin. Helidon Bushati, Emilja Koliqi, Ramadan Likaj, Greta Bardeli dhe Zef Hila janë fituesit në Shkodër.

Lista e Tiranës sheh 15 fitues nga PD-ja, por pa thyerje herësi. Lulzim Basha udhëheq demokratët. Ndjekin Jorida Tabaku, Alfred Rushaj, Albana Vokshi, Sali Berisha, Agron Shehaj, Fatmir Mediu, Grida Duma, Shpëtim Idrizi, Belind Këlliçi, Vangjel Dule, Mesila Doda, Dashamir Shehi, Flamur Noka dhe Orjola Pampuri.

Katër janë kandidatët e Vlorës që marrin mandat nga kampi demokrat. Ata janë Bujar Leskaj, Ina Zhupa, Fation Veizaj dhe Arbi Agalliu.

Të tjerët

Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë në Parlament vetëm katër deputetë këtë legjislacion. Dy mandatet kryeqytetase janë ato të kryetares, Monika Kryemadhi dhe Erisa Xhixhos.

Gjithsesi, Kryemadhi ka marrë një mandat edhe në Fier. Ajo do të ketë një zgjedhje për të bërë, mbi cilin mandat të zgjedhë të mbajë.

Nëse Kryemadhi mban mandatin e Tiranës, atëherë Petrit Vasili mbetet jashtë Kuvendit. Nëse mban atë të Fierit, Kejdi Mehmetaj do të jetë jashtë.

Mandati i katërt i LSI-së është ai i Agron Çelës në Shkodër. Herësin nga socialistët e qendrës, nuk e ka thyer askush.

Nga ana tjetër, Partia Socialdemokrate ka arritur të marrë tre mandate: Dy në Shkodër dhe një në Tiranë.

Kreu i kësaj partie, Tom Doshi, është i mandatuar në të dy qarqet. Por, ai ka hequr dorë nga kandidimi vetëm pak pas përfundimit të zgjedhjeve.

Për këtë arsye, dy mandatet e Shkodrës, do t’i takojnë Gledis Çelikut dhe Meri Markiçit. Ai i Shkodrës, nga ana tjetër, i takon Gertjan Dedës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore