Kosova

Chollet telefonon Kurtin, i kërkon që ta pranojë propozimin franko-gjerman


Derek Chollet

Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, të martën në mbrëmje njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ka kërkuar nga ai që ta pranojë propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Fola me kryeministrin Albin Kurti sot për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Një temë kryesore ishte partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet.

Gjithashtu, diplomati amerikan ritheksoi edhe njëherë nevojën që Qeveria e Kosovës të fillojë sa më parë me diskutimet lidhur me hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe bëri thirrje që serbët të kthehen në vendet e tyre të punës.

”Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në kontekstin e Dialogut dhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës të kthehen në postet e tyre”, shtoi ai.

Ndryshe, më 11 janar, nënsekretari amerikan në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, erdhi nga Uashingtoni në Prishtinë për t’u takuar me krerët institucionalë dhe me liderët e partive politike në vend.

Kurse më pas, për gjetjen e një rruge drejt një “marrëveshjeje finale”, në Prishtinë dhe në Beograd më 20 janar zbarkuan Miroslav Lajçak nga BE-ja, Gabriel Escobar nga SHBA-ja, Jens Plotner nga Gjermania, Emmanuel Bonne nga Franca dhe Francesco Talo nga Italia, jo më për të prezantuar përmbajtjen, por përfundimisht për të kërkuar përgjigjen dhe për të vazhduar tutje.

Emisarët perëndimorë erdhën me pritje konkrete, largohen pa përgjigje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore