Stil

Chiara Ferragni ndikon në rritjen e aksioneve të prodhuesit italian të syzeve


Të hënën e 13 shtatorit, aksionet e prodhuesit të syzeve të quajtur Safilo Group SpA kanë pësuar një rritje me 14 për qind, pasi “influencuesja” kryesore e modës dhe Instagram-it, Chiara Ferragni, nënshkroi një marrëveshje me kompaninë italiane.

Agjencia e lajmeve “Bloomberg”, tregon se, pas kësaj marrëveshjeje, Safilo do të projektojë, prodhojë dhe shpërndajë linjën e parë të syzeve të markës Ferragni, të cilat do të dalin në shitje në muajin janar të vitit 2022.

Kjo ka bërë që, prej muajit shtator të vitit 2018, aksionet e firmës të rriteshin në nivelin më të lartë.

Nga ana tjetër, për blogeren 34-vjeçare është e dyta herë që ajo ka pasur efekt në aksionet e listuara në Milano.

Hera e parë ishte kur ajo u emërua në bordin e prodhuesit të këpucëve, Tod’s SpA, më 9 prill, dhe ku aksionet pësuan rritje gjithashtu.

Karriera e Ferragni-t ka nisur me krijimin e blogut të saj të modës, theblondesalad.com, në vitin 2009.

Kurse në vitin 2013, ajo prezantoi markën e saj personale, Chiara Ferragni Collection.

Ndërkohë, Ferragni numëron më shumë se 24 milionë ndjekës në platformën Instagram.

“Safilo përfaqëson jo vetëm përsosmërinë e syzeve, por gjithashtu, ngjashëm me markën time, një shembull të shkëlqyer të shpirtit italian”, është shprehur Ferragni në një deklaratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore