Sport

Chelsea i Mauricio Pochettino, çfarë duhet të presim


Mauricio Pochettino

Fjala e preferuar e Mauricio Pochettino është “guxim”.

Ai përdor guximin për të shpjeguar pothuajse çdo vendim që merr dhe pothuajse gjithçka në të cilën beson, që nga arsyeja pse i mbajti flokët e gjata si lojtar deri tek ajo që dëshiron si trajner, presioni i lartë dhe dominimi i topit.

Ndonjëherë, interpretimi i tij i guximit është i rrjedhshëm. Një verë gjatë periudhës së tij në krye të Tottenham Hotspur, ai i bëri thirrje klubit të ishte “guximtar” dhe të forconte skuadrën me lojtarë të rinj.

Kur ata më pas nuk arritën të bënin një nënshkrim të vetëm, ai e quajti vendimin për të besuar në skuadrën e tyre ekzistuese “të guximshëm”. Libri i tij i vitit 2017, një përzierje e pazakontë e një ditari në vetën e parë të sezonit 2016-17 dhe një biografie nga Guillem Balague, titullohej “Brave New World” (Bota e Re e Guximshme).

Disi, gjithçka kthehet në guxim, trimëri.

Prandaj, parashikimi se cilët lojtarë aktualë të Chelsea-t do të favorizojë Pochettino ka të ngjarë më pak të lidhet me atributet e tyre teknike, pozicionet e tyre të preferuara dhe paraqitjet e tyre këtë sezon.

Pochettino nuk mund të ndajë personalitetin nga taktikat dhe vlerësimi i tij për nivelin e guximit të secilit lojtar do të jetë vendimtar. Kjo kërkohet shumë në një kohë kur anëtarë të ndryshëm të skuadrës aktuale të Chelsea-t duken të lodhur, të vetëkënaqur dhe me mungesë përkushtimi.

Gjëja kurioze në lidhje me karrierën menaxheriale të Pochettino deri më tani është se dy punët e tij më të spikatura, me Tottenham dhe Paris Saint-Germain, kanë qenë krejtësisht të kundërta.

Tottenham kishte një skuadër plot me të rinj, PSG kishte një skuadër plot me superyje. Spurs ishte një projekt afatgjatë, PSG ishte një pengesë afatshkurtër. Në Angli, ai performoi mirë, por u tall se nuk fitoi trofe. Te PSG e pati jetën të vështirë, por trofetë ishin të pashmangshëm.

Te Tottenham ai mbërriti si një trajner jo shumë i pëlqyer, por u bë një idhulli i madh i tifozëve. Te PSG ai po kthehej në një klub ku kishte qenë lojtar, por kurrë nuk u ndje si në shtëpi. Është e qartë se Tottenham i përshtatet Pochettino. Shqetësimi është se statura e një klubi si Chelsea është më e ngjashme me atë të PSG-së.

Shpenzimet e Chelsea-t gjatë 12 muajve të fundit e bënë jetën pothuajse të pamundur për Thomas Tuchel, Graham Potter dhe Frank Lampard. Skuadra ishte shumë e madhe, 11-shja e parë nuk u vendos kurrë. Disa lojtarë duan dëshpërimisht të largohen dhe Pochettino do të jetë i kënaqur të heqë qafe ata që janë vetëkënaqur dhe kanë humbur dëshirën.

Gjëja premtuese në lidhje me skuadrën e Chelsea-t, megjithatë, është se shumica e të ardhurve janë të rinj, me përjashtim të Kalidou Koulibaly, Pierre-Emerick Aubameyang dhe Raheem Sterling. Përvoja e Pochettino në zhvillimin e lojtarëve të rinj duket faktori kryesor në vendimin e Chelsea-t për ta emëruar atë.

Duke parë komentet dhe intervistat e Pochettino ndër vite, preferenca e tij për të punuar me lojtarët e rinj është një besim i rrënjosur që rrjedh nga vitet e tij të formimit. Kohë kjo kur, Marcelo Bielsa, më vonë trajneri i tij edhe te Espanyol dhe Argjentina, i dha atij një mundësi e hershme te Newell’s Old Boys së bashku me lojtarë të tjerë premtues që vazhduan të kenë një ndikim të madh në ekipin e parë.

Ka faktorë të ndryshëm në prioritizimin e të rinjëve nga vetë Pochettino. Ai beson se është e vështirë të ndryshosh mentalitetin ose zakonet e veteranëve të kalitur dhe për këtë arsye ndonjëherë nuk mund të përshtatet me metodat e tij.

Mauricio Pochettino. Photo: Sky Sports

Pochettino duket se beson se të rinjtë, në përgjithësi, ofrojnë më shumë përkushtim dhe përpjekje dhe kanë më shumë për të provuar. Ai duket i kujdesshëm për të lejuar disa emra të mëdhenj të dominojnë dhomën e zhveshjes, ky është një njeri që luajti përkrah Diego Maradona dhe Ronaldinho në ditët e tij të lojës dhe duroi një luftë të zgjatur me legjendën e klubit Raul Tamudo gjatë përvojës së tij formuese si trajner me Espanyol.

Ai ka kritikuar edhe “kultin e personalitetit” brenda futbollit anglez. Është e vështirë të imagjinohet që Pochettino të lulëzojë në dhomën e vjetër të zhveshjes së Chelsea-t të dominuar nga lojtarë me përvojë, por kjo skuadër aktuale duket më shumë sipas dëshirës së tij.

Të rinjtë janë gjithashtu më të mirë për përqendrimin e tij në presing, megjithëse Pochettino kundërshton idenë se kjo ka të bëjë me kapacitetin fizik. Ai, në përputhje me Bielsa-n dhe avokatët e tjerë kryesorë të presingut, beson se përpjekja fillestare në sprint për të rifituar posedimin është në fund të fundit më pak e lodhshme sesa nevoja për të rikuperuar në pozicione më të thella.

Përsëri, ai këmbëngul se nuk ka të bëjë me aftësinë e tyre fizike për të vrapuar, por dëshirën.

Megjithatë, theksi i Pochettino-s në presing është bërë vazhdimisht më pak intensiv. Në ditët e tij të para me Espanyol, ai krijoi një skuadër ultra-agresive që synonte të tronditte kundërshtarët aq sa t’i mposhte ata.

Skuadra e tij nga Southampton, gjithashtu, ishte më e dukshme për stilin e tyre agresiv sesa për nivelin e performancës. Ata shënuan statistikat më të mira në Premier League për sa i përket rifitimit të topit, por në fakt përfunduan vetëm në vendin e tetë, një pozicion i respektueshëm për një ekip të promovuar së fundmi. Por, ata do të përmirësoheshin në dy sezonet e ardhshme nën një Ronald Koeman më pak ideologjik.

Periudha e Pochettino te Tottenham i pa ata duke u bërë gjithnjë e më pak të bazuar në presing, ndërsa mbretërimi i tij përparonte. Fillimisht, Tottenham-i i tij kishte të bënte me energjinë. Më vonë, kishte më shumë autoritet në zotërim, lojtarët sulmues po hynin në vitet e tyre të pikut dhe kishte më shumë fleksibilitet taktik.

Nga sezoni i plotë i fundit i Pochettino-s te Spurs, ata arritën në finalen e Champions League, por në Premier League ata po ushtronin shumë më pak presion, ndoshta sepse ishin të rraskapitur do të thoshte Pochettino, më shumë mendërisht sesa fizikisht.

Kjo përputhej me shifrat më të dobëta të Tottenham-it, ata po krijonin më pak shanse të mira dhe i lejonin kundërshtarëve më shumë shanse të mira se më parë.

Dhe më pas te PSG, ai dështoi të impononte lojën e tij të presigut ndaj një skuadre, tre të parët e të cilëve ishin mësuar të lëviznin pa top. Qasja e përgjithshme e PSG-së në ndeshjet e mëdha ishte të shtypte me intensitet për rreth 20 minutat e para. Këtu është një shembull klasik nga një fitore fatlume në fazën e grupeve ndaj Manchester City-t në fillimin e 2020-21, shtatë lojtarë që mbrohen, tre nuk shihen askund.

Ai është i njohur për ndërtimin e ushtrimeve të ngutshme në stërvitje që përmbajnë seanca 10 kundër 11, duke i inkurajuar 10 lojtarë të mbyllen pavarësisht nga disavantazhi i tyre numerik, duke i detyruar ata të kapërcejnë një frikë të natyrshme.

Në një kuptim sulmues, kishte relativisht pak të përbashkëta midis qasjes së Pochettino me Tottenham dhe PSG. Megjithatë, kishte disa pika të përbashkëta midis skuadrave të tij nga Southampton dhe Tottenham, në theksin e marrjes së më të mirave nga numrat “9”.

Ai mori më të mirën si nga Rickie Lambert ashtu edhe nga Harry Kane, jo vetëm në aspektin e shënimit të golave, por edhe në aspektin e pritjes së topit dhe për t’ua lënë atë mesfushorëve që shtyjnë përpara. Adam Lallana, Jay Rodriguez, Dele Alli dhe Son Heung-min të gjithë përfituan nga kjo qasje.

Chelsea, me sa duket, ka shumë mesfushorë sulmues, por i mungon numri “9” i duhur. Kai Havertz duhet t’i nënshtrohet një transformimi të rëndësishëm për të luajtur me autoritetin dhe besimin që Pochettino dëshiron nga sulmuesit e tij qendrorë. Romelu Lukaku mbetet lojtar i Chelsea-t por e ardhmja e tij është e paqartë.

Zgjedhjet e formacionit të Pochettino janë gjerësisht në përputhje me atë të shumicës së menaxherëve modernë. Një 4-2-3-1 është shfaqur shumë gjatë gjithë karrierës së tij. Ai përdorte rrallë 4-3-3 në Tottenham… por e favorizoi këtë qasje te PSG për shkak të pranisë së tre sulmuesve me emra të mëdhenj.

Pyetja e vërtetë është se sa shpesh ai përdor një mbrojtje me tre lojtarë, e cila u bë një pjesë kryesore e armaturës së tij gjatë viteve të pikut me Tottenham.

Fillimisht, ai e përdori këtë qasje kryesisht kur luante kundër një sulmi me dy lojtarë, një propozim relativisht i rrallë në futbollin anglez, por gradualisht u bë një tipar më i rregullt. Ishte veçanërisht e dobishme që Eric Dier të mund të kalonte mes mesfushës dhe mbrojtjes, duke lejuar Pochettino të kalonte rrjedhshëm midis dy skemave.

Enzo Fernandez, ndonëse nuk është i njëjti lojtar, me sa duket do të jetë gurthemeli i mesfushës së tij te Chelsea, duke ofruar përzierjen perfekte të agresionit pa topin dhe inteligjencën në zotërim.

Chelsea në përgjithësi është dukur më rehat me tre mbrojtës gjatë viteve të fundit, në thelb që kur mini-revolucioni i Antonio Conte-s në futbollin anglez e bindi Pochettino dhe të tjerët të ndiqnin shembullin dhe të luanin një mbrojtje me tre lojtarë.

Një pyetje më e madhe është përshtatja e thjeshtë e stilit me Chelsea-n. Në përgjithësi, menaxherët e Chelsea-t që kanë ardhur me filozofi dhe kanë theksuar konceptin e panegociueshëm të dominimit të një loje kanë qenë gjerësisht të papëlqyeshëm. Kjo pavarësisht suksesit apo jo të tyre.

Është e diskutueshme që Chelsea është i fundit nga klubet e mëdha të Premier League që nuk i është nënshtruar një revolucioni të suksesshëm për sa i përket modernizimit të stilit të tyre të lojës, dhe tifozët shpesh e kanë shijuar Chelsea-n si skuadra e padashur që fiton pak lavdërime, por shumë trofe. Kjo është e kundërta e qasjes së Pochettino-s, veçanërisht te Tottenham.

Sigurisht, është e veçanta që Pochettino po i bashkohet klubit që dikur ndihej si rivalët kryesorë të klubit të tij të vjetër. Koha e tij te Tottenham u dominua nga përplasjet kundër Chelsea-t. Fitorja 5-3 në natën e Vitit të Ri në sezonin e tij të parë, humbja 2-0 në finalen e Kupës së Ligës më vonë atë sezon, barazimi 2-2 në “Stamford Bridge” në fund të sezonit 2015-16 që konfirmoi statusin e Leicester-it si kampion, fitorja 2-0 në 2017 për t’i mohuar Chelsea-t të Conte-s fitoren rekord të 14-të radhazi në Premier League dhe humbja 4- 2 në gjysmëfinale e FA Cup, kur ai përdori çuditërisht Son Heung-min si një mbrojtës të krahut të majtë.

Pas asaj ndeshje, siç kujton Pochettino në ditarin e tij të lartpërmendur të atij sezoni, ai pati një bisedë të gjatë me Conte-n në dhomën e zhveshjes.

“Dy qasje të ndryshme ndaj futbollit u përplasën”, kujtoi ai. “Të flasësh me menaxherin e një klubi si Chelsea është një mënyrë e mirë për të konfirmuar se sa të ndryshme janë gjërat. Ne po konkurrojmë në të njëjtën ligë dhe jemi të vendosur në të njëjtin qytet, por problemet tona janë krejtësisht të ndryshme”.

Tani, ka pasur një ndryshim roli. Conte nuk e gjeti Tottenham-in sipas dëshirës së tij. A do të përshtatet Pochettino më mirë me jetën te Chelsea? Mbetet të shihet…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore