Sport

Champions League/ Rikthehet përballja e ‘sheikëve’, Real-i dhe Inter-i kërkojnë e kualifikimin


Champions League do të luhet edhe këtë të mërkurë në mbrëmje me tetë sfida interesante. Manchester City përballë PSG-së, apo e njohur si sfida e “sheikëve” do të jetë ndeshja kryesore e mbrëmjes.

Ndër skuadrat e tjera që do të zbresin në fushë për të vulosur kualifikimin janë Real Madrid-i, Borussia Dortmund-i dhe Inter-i.

Grupi A

Dy takimet e këtij grupi do të fillojnë nga ora 21:00. Sfida e “sheikëve” mes Manchester City-t dhe PSG-së do të luhet në Angli kësaj radhe. Në takimin e parë, të luajtur në Francë, ishin vendasit që triumfuan me rezultatin 2-0. Të dy skuadrat janë një hap larg kualifikimit.

Përballja tjetër e këtij grupi do të luhet mes Club Brugge-it dhe RB Leipzig-ut. Belgët kanë katër pikë në renditje dhe nuk përjashtohet një surprizë nga ata, për t’i parë në raundin tjetër. Sfida e parë mes dy skuadrave e luajtur në gjermani përfundoi me fitoren 2-1 të belgëve.

Grupi A

Grupi B

Edhe dy sfidat e këtij grupi do të luhen nga ora 21:00. Atletico Madrid-i do të provojë të forcojë pozitat në grup dhe përballë do të ketë Milan-in. Kuqezinjtë janë në kërkim të fitores së parë në Champions. Sfida e parë mes tyre përfundoi me shifrat 2-1 për spanjollët.

Liverpool-i do të ketë një përballje të lehtë në letër me Porto-n. Anglezët triumfuan në ndeshjen e parë me rezultatin 5-1. Skuadra e Jurgen Klopp-it është e kualifikuar për në raundin tjetër.

Grupi B

Grupi C

Përballja e parë e këtij grupi mes Besiktas-it dhe Ajax-it do të luhet duke filluar nga ora 18:45. Turqit nuk kanë asnjë pikë të grumbulluar deri më tani. Holandezët me 12 pikë, janë të kualifikuar tashmë. Përballjen e parë mes tyre e fitoi Ajax-i, me shifrat 2-0.

Përballja më e rëndësishme e këtij grupi dhe një nga përballjet më të forta të mbrëmjes do të luhet në “Jose Alvalade”. Vendasit e Sporting-ut përballen me gjermanët e Dortmund-it.

Të dy skuadrat kanë nga gjashtë pikë në renditje dhe kërkojnë të forcojnë pozitat për një vend në raundin tjetër. Sfida e parë mes tyre përfundoi në shifrat 1-0 për gjermanët.

Grupi C

Grupi D

Inter-i do të kërkojë të hedh një hap të sigurt drejt kualifikimit në raundin tjetër të Champions-it. Zikaltrit do të kenë përballë Shakhtar Donetsk-un. Ndeshja do të luhet duke filluar nga ora 18:45. Sfida e parë në Ukrainë përfundoi në shifrat 0-0.

Sfida tjetër e këtij grupi do të luhet në Moldavi. Sheriff Tiraspol-i do të presë Real Madrid-in. Real-it një fitore ose barazim i siguron kualifikimin në raundin tjetër. Por, nuk do të jetë e lehtë, pasi që dhe ndeshjen e parë në “Santiago Bernabeu” e fituan miqtë nga Tiraspoli me rezultatin 2-1.

Grupi D

Champions League do të rikthehet përsëri në muajin dhjetor. Më 8 dhe 9 dhjetor do të luhen ndeshjet e gjashta dhe të fundit të fazës së grupve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore