Kosova

Çfarëdo vendimi i Kushtetueses për deputetët e pakicës s’e rrëzon Osmanin


Vjosa Osmani

Gjykata Kushtetuese e Kosovës këtë të premte pritet të jap interpretimin e saj lidhur me kërkesën e Veton Berishës, kryetar i Partisë Egjiptiane, për një vendim të nxjerrur të Gjykatës Supreme në lidhje me dyshimet për orkestrimin e votimit nga ana e “Romani Iniciativës” në vendbanimet me shumicë serbe.

Gjatë këtyrë ditëve është raportuar se vendim i Gjykatës Kushtetuese mund të rrëzojë edhe Vjosa Osmanin nga posti i Presidentes së Kosovës, pasi gjykata mund t’i shpallë si jolegjitim dy deputetë të komuniteteve pakicë të cilët ishin pjesëmarrës në seancën e Kuvendit të Kosovës kur po zgjidhej Presidentja.

Megjithatë, sipas njohësve të çështjeve juridike, edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendosë në favor të ish-deputetit, Veton Berisha, i cili ishte ankuar për orkestrim të votimit nga ana e Listës Serbe, kjo nuk paraqet asnjë rrezik për mandatin 5-vjeçar të Presidentes.

Lajmi i publikuar nga “Gazeta 10” ku thuhej se një vendim i Gjykatës Kushtetuese mund ta rrëzojë presidenten Vjosa Osmani nga pushteti, shkaktoi edhe reagimin e Blerim Velës, shef i kabintetit të Osmanit, i cili u denoncua për “gjuhën skandaloze” të përdorur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Nëpërmjet një cicërime në rrjetin social Twitter, shefi i stafit në kabinetin e Presidentes, tha se pretendimet për rrëzimin e Osmanit për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, janë synime perfide për t’i bërë presion gjykatës dhe për të krijuar huti në publik.

“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta ‘rrëzojë’ Presidenten, janë synime perfide për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. Gjykata Kushtetuese është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore”, shkroi Vela.

Ai ndër të tjera e përdori edhe fjalën “tentim puç” për ta përshkruar raportimin e mediumit në fjalë, duke ngritur disa pretendime që nuk janë të shëndetshme për demokracinë dhe duke e lidhur në mënyrë direkte raportimin e mediave me Serbinë.

“E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë ‘në burime brenda Gjykatës’, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre”, tha ai.

Raportimi se Presidentja mund të rrëzohej, bëri që të krijoheshin analogji me rastin e deputetes Tinka Kurti, për të cilën Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se asaj iu shkelën të drejtat në momentin kur nuk ishte lejuar të bëhej deputete për të zëvendësuar deputetët që ishin emëruar në poste ministrore.

Gjykata Kushtetuese në rastin e deputetes Kurti, kishte konstatuar shkeljen e lirive dhe të drejtave të saj themelore dhe kishte obliguar institucionet që në të ardhmen ta zbatojnë ligjin në perputhje me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata nuk e kishte shpallur jokushtetuese përbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe as nuk kishte ofruar një zgjidhje efektive juridike për parashtruesen, prandaj njohësit e së drejtës kushtetuese, theksojnë se në bazë të kesaj praktike, gjykata parimisht do të duhej të zbatonte të njejtin standard.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se edhe në rast se Gjykata Kushtuese vendos në favor të dy deputeteve, prapë se prapë nuk mund t’i rrezikohet mandati Presidentes, pasi që kanë kaluar afatet kohore kur ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjes së shefes së shtetit.

“Në rastin konkret, procedura kushtetuese nuk është e drejtuar tek vendimi për përzgjedhjen e Presidentes, por vetëm tek mandati i një deputeti, anulimi i të cilit mandat, siç u tha, nuk mund të ketë pasoja në vendimet tanimë të nxjerra”, tha Miftaraj.

Më 4 prill të vitit 2021, me 71 vota në favor të saj, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e Presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar, ndërsa tash mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore