Sport

Çfarë po ndodh në merkato? Fabrizio Romano flet për Albanian Post


Gazetari sportiv italian, Fabrizio Romano

Një nga emrat më të përfolur të merkatos së kësaj vere është francezi Eduardo Camavinga.

Të gjithë e duan 18 vjeçarin, por siç tregon gazetari i famshëm i futbollit, Fabrizio Romano, pak ekipe i kanë gjasat për ta pasur.

Romano në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, thotë se në “pole position” është Real Madrid.

Gazetari italian që përcillet nga tre milionë ndjekës në Twitter për AP ka shpalosur detaje rreth situatës së Camavinga-s dhe jo vetëm.

“Ai e dëshiron Real Madrid-in, prindërit e tij po e shtyjnë që të paktën edhe për disa vite, të qëndrojë në Francë”, thotë Romano.

Sa i përket klubit madrilen, Fabrizio shton që “interesi mbetet shumë i lartë”.

“Por”, vazhdon ai, “Real Madrid-i e konsideron të pamundur transferimin e tij gjatë kësaj vere”.

Kjo vjen për shkak se klubi madrilen momentalisht ka “numër të mjaftueshëm të mesfushorëve” dhe se trajneri Ancelotti është “i kënaqur me atë çka i ofron ai repart”.

Sa i përket klubeve tjera, interes të madh kanë shfaqur edhe Paris Saint-Germain e Arsenal.

Të fundit, nuk kanë “asnjë mundësi”, thotë Fabrizio, sepse vetë lojtari, agjenti i tij Jonathan Barnett dhe familja, nuk dëshirojnë një aventurë në ‘Emirates Stadium’.

Sa i përket PSG-së, familja e Camavinga-s, në një mënyrë, thotë Fabrizio, “po i bën presion që të mos largohet nga Franca, të paktën jo tani”.

“Ai është ende shumë i ri, dhe familja e tij mendon që ende është shumë herët të shkojë diku tjetër”.

Arsyetimi i tyre është se “ai nuk mund ta përballojë presionin” që vjen nga klube të mëdha Evropiane, sidomos nga Real Madrid-i.

Sipas Fabrizio-s, kjo mund të shtyjë që klubi i ardhshëm i Camavinga-s, të jetë Paris Saint-Germain.

“Mirëpo”, përfundon ai, “agjenti Barnett po punon shumë që Camavinga të jetë ylli i ardhshëm i mbretërorëve të Real Madrid-it”.

Po Tammy Abraham?

Ditët e fundit është spekuluar që Tammy Abraham, nga Chelsea, do t’i bashkohet Arsenal-it, por Romano ka informacione përtej spekulimeve.

“Interes ka”, shprehet ai për këtë çështje.

“Në Chelsea janë të vetëdijshëm për interesin e Arsenal-it, por topçinjtë ende nuk kanë dërguar asnjë ofertë”.

“Arsenal-i po e përcjellë nga afër situatën dhe dëshiron që transferimin ta mbyllë shpejt”, përfundon ai.

Ky nuk do të ishte lojtari i parë që transferohet nga Chelsea te rivalët revolveristë, ose anasjelltas.

Më herët këto raste i kemi parë me Willian, Olivier Giroud, Petr Cech e shumë të tjerë.

Kush është Fabrizio Romano?

Fabrizio Romano është gazetar i pavarur i futbollit, një ndër më të besueshmit në botë.

Më parë, Romano ka qenë i punësuar në Sky Sport, si korrespondent për Itali.

Po ashtu, ai ka qenë kolumnist javor, për tabloidin sportiv Goal.

Për shumë transferime, Romano ka raportuar i pari, e nga kjo verë mund të përmendet ‘saga’ e kalimit të Sancho-s te Manchester United.

Kjo është intervista e parë që Fabrizio Romano e jep për një faqe shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore