Shqipëria

Çfarë po ndodh me procesin e përzgjedhjes së Abetares së përbashkët?


Është mbyllur, të hënën në mesditë, faza e pranimit të materialeve të fundit konkurruese, në procesin e përzgjedhjes së Abetares së përbashkët, për Shqipërinë dhe Kosovën.

Marrëveshja për Abetaren e unifikuar – për nxënësit nga jugu në veri, të të dy vendeve – ishte arritur në nëntor të vitit 2021, gjatë takimit të përbashkët të dy qeverive.

Mirëpo, që atëherë, asnjë informacion tjetër, për projektin, fituesi i të cilit atëherë ishte thënë që do të shpallet në qershor, nuk është dhënë nga ministritë përkatëse, në Shqipëri dhe Kosovë.

Për një kohë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë nuk i është përgjigjur fare interesimit medial për të marrë vesh çfarë po ndodh me këtë proces.

Ndërsa, në Shqipëri, pas insistimit të Albanian Post, këshilltari i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), Shpendi Gjana, ka treguar se pas mbylljes përfundimtare të afatit për pranim të materialeve konkurruese, procesi do të bartet nga Tirana në Prishtinë.

“Të martën, delegacioni i komisionerëve që janë caktuar më herët për përzgjedhjen e Abetares së përbashkët do të udhëtojë drejt Kosovës, për të realizuar takimin në një tavolinë të përbashkët, me shtëpitë botuese dhe recensentët”.

Për sa i përket materialeve, këshilltari Gjana ka sqaruar se të gjitha janë të vulosura, në mënyrë që të hapen në Prishtinë, që më pas të vlerësohen dhe përzgjedhja fillestare t’u komunikohet shtëpive botuese pjesëmarrëse.

Mirëpo, ai ka refuzuar të flasë rreth numrit të shtëpive botuese që kanë marrë pjesë, kritereve që duhet t’i plotësojnë për t’u shpallur fituese apo mënyrës së përzgjedhjes së fituesit; sikur edhe nëse do të jetë një i tillë apo më shumë të tillë.

Lidhur me recensentët, mbi bazën e vlerësimeve të të cilëve do të arrihet në zgjedhjen e fituesit, Këshilltari i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Gjana, ka theksuar se ata janë zgjedhur më herët në Shqipëri, në bazë të një shorti, i cili ka qenë transparent dhe pesë prej tyre janë nga Kosova e pesë nga Shqipëria.

Albanian Post ka arritur të mësojë se komisioni nga Kosova do të jetë i përbërë nga: Agim Berdyna, kryetar i komisionit; Isni Kryeziu, anëtar; Fehmi Zylfiu, anëtar; Feime Llapashtica, anëtare; Shqipe Gashi, anëtare; Arbër Salihu, anëtar – të gjithë këta janë punonjës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ndërsa, pjesë e komisionit nga Shqipëria do të jenë: Zamira Gjini, kryetare e komisionit; Erzen Tola, anëtar; Mirela Bimo, anëtare; Anila Ferizaj, anëtare; Besnik Rama, anëtar; Erida Koleci, anëtare – të gjithë këta janë punonjës në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Siç ka sqaruar këshilltari Gjana, delegacioni i Shqipërisë do jetë të martën në Kosovë për nisjen e fazës tjetër të procesit dhe gjasat janë që takimi të bëhet në zyrat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në Prishtinë.

 

Hapja e thirrjes për aplikim në konkursin e Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri

Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë më 28 janar 2021 patën hapur thirrjen për aplikim në konkursin për tekstin e vetëm të përbashkët “Abetare”, të shoqëruar me fletorën e punës.

Kështu pati bërë të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Një gjuhë, një Abetare… Pas një pune të përbashkët të Komisionit për organizimin e konkursit për Abetaren e re, Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sot kanë hapur thirrjen për aplikim në konkursin për tekstin e vetëm të përbashkët ‘Abetare’, të shoqëruar me fletoren e punës”.

Ajo pati ftuar shtëpitë botuese nga të dy shtetet që të aplikojnë në këtë konkurs.

“Ftoj shtëpitë botuese nga të dy shtetet tona që të aplikojnë në këtë konkurs, rezultatet e të cilit do të bëhen publike në qershor të këtij viti”, shkruante Nagavci në ‘Facebook’.

Nagavci kishte shprehur bindjen e saj të plotë se në vitin e ri shkollor, vogëlushët e të dyja shteteve do ta kenë në dorë Abetaren e re.

“Ky libër simbol, le të jetë një dhuratë për vogëlushët tanë në 110 vjetorin e Pavarësisë”.

Më 26 nëntor 2021, Shqipëria dhe Kosova morën vendim për bashkëpunim në fushën e arsimit, përsëri duke bashkëpunuar për një abetare të re.

 

Nënshkrimi i marrëveshjes për përdorimin e Abetares së përbashkët midis dy ministrive

Ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, së bashku me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi, më 21 dhjetor 2021 kishin nënshkruar marrëveshjen për përdorimin e një Abetare të përbashkët në dy shtetet.

Nagavci në një konferencë për media pati deklaruar se bashkëpunimi në fushën e arsimit është i domosdoshëm.

“Është kënaqësi për mua të pres ministren Kushi, dhe bashkërisht të nënshkruajmë marrëveshjen në lidhje me abetaren e re të përbashkët të cilën presim t’ua bëjmë dhuratë nxënësve tanë vitin e ardhshëm shkollor”.

Ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci

“Bashkëpunimi në fushën e arsimit është më shumë së domosdoshmëri, jemi të përkushtuara që të kemi aktivitete të shumta. Jemi të lumtur që abetarja do të përdoret në të dyja vendet”, deklaronte ajo.

Në anën tjetër, ministrja Kushi, pohonte se nuk ka më mirë se sa një komb të ketë një abetare.

“E kam pritur me padurim një vizitë në Kosovë, e pikërisht për të konfirmuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kemi në të dyja vendet Jemi në kohë rekord për të nënshkruar marrëveshjen për abetaren”.

Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi

“Abetarja e re është e nevojshme. Nuk ka më mirë së një gjuhë, një komb, e një abetare të përbashkët”, pati thënë ajo para mediave.

 

Promovimi i abetares mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 2012

Nëntë vite më parë abetarja mes dy qeverive ishte promovuar në Prizren nga kryeministri i atëhershëm në Shqipëri Sali Berisha dhe ish kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

“Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot po e prezantojmë për herë të parë abetaren e përbashkët të shqiptarëve, për herë të parë në historinë e kombit shqiptar. Kjo është e arritur historike. Është abetarja e parë e përbashkët, e bashkautorëve nga Shqipëria dhe Kosova”, pati deklaruar në ceremoninë e promovimit ish-kryeministri Thaçi.

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Madje, sipas tij, për promovimin e abetares ishte zgjedhur Prizreni, “si kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve”.

Edhe ish-kryeministri, Berisha për abetaren ishte shprehur se është margaritari i kurorës së 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur.

“Të dashur fëmijë, Abetarja ju dorëzohet juve, sot, pas 160 vjet përpjekjesh mbinjerëzore për liri dhe dinjitet të shqiptarëve”, kishte thënë Berisha në ceremoninë e promovimit të abetares më 17 maj të vitit 2012.

Teksti fitues për abetaren e përbashkët Shqipëri – Kosovë ishte përzgjedhur më 24 prill të 2012-ës. Abetarja ka katër bashkautorë, Shezai Rrokajn dhe Mimoza Gjokutajn nga Shqipëria, si dhe Islam Krasniqin dhe Saranda Kumonova-Pozhegun nga Kosova.

Në këtë ceremoni dy shtetet qenë dakorduar që abetarja e përbashkët është realizuar me nismën e dy ministrive të Arsimit, të Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që do të vazhdojë edhe lidhur me unifikimin e teksteve të tjera shkollore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore