Lajme

Çfarë nënkupton zgjedhja e Marta Kos si Komisionere e Zgjerimit?


Emërimi i Marta Kos nga Sllovenia si Komisionere e re Evropiane për Zgjerim nga Ursula von der Leyen është interpretuar si lajm i mirë nga ekspertët.

Siç sqarojnë ata, vendimi për t’i dhënë një portofol të tillë Sllovenisë tregon se zyrtarët e BE-së do t’i kushtojnë vëmendje integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Kështu shkruan portali “European Western Balkans”, në analizën e saj duke shtuar se fokusi nuk do të jetë vetëm tek anëtarësimi i Ukrainës në Union.

Qeveria e Sllovenisë pritet të konfirmojë zyrtarisht kandidaturën e Marta Kos për komisionere të BE-së gjatë të enjtes.

Ish-drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, deklaroi për EWB-në se Kos “duhet të jetë në gjendje të mirë për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të anëtarësohen në BE”.

Ai shtoi se “Marta Kos ka një njohuri të gjerë për sfidat me të cilat po përballen këto vende, në krye të ofrimit të përvojës pozitive të anëtarësimit të Sllovenisë”.

“Ajo do të përballet, megjithatë, me një situatë të vështirë të BE-së: turbulencat politike në disa shtete anëtare kyçe, ngritja e forcave të ekstremit të djathtë dhe krizat e afërta të BE-së, edhe një herë. Këto elemente nuk do të jenë të favorshme për të marrë një mbështetje të gjerë për ta bërë zgjerimin një prioritet gjatë mandatit të ri të Komisionit”, vërejti Mirel në analizën e tij.

Aq më tepër, kujton ai, kur merren parasysh vështirësitë me të cilat po përballen disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Kjo, duke filluar nga çështjet dypalëshe, për të mos “përmendur luftën e intensifikuar Ukrainë-Rusi”.

Mirel ravijëzon në përmbyllje se “pavarësisht kualifikimeve të saj”, Marta Kos do ta ketë të vështirë të bindë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ndërmarrin “reformat e thella të shumëpritura, në rivendosjen e besueshmërisë së BE-së dhe për të pajtuar, më në fund, demokracinë dhe stabilitetin”.

Për profesorin në Universitetin e Graz-it, Florian Bieber, pasja e “një Komisioneri Slloven për Zgjerimin është një lajm i mirë”.

“Së pari, i jep fund mandatit të trazuar të Várhelyi si Komisioner, i cili shkaktoi shumë dëme. Përveç kësaj, duke emëruar një Komisioner nga Sllovenia, Komisioni i ri po sinjalizon se zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, siç do të kishte bërë një kandidat nga Balltiku. Një Komisioner që kupton gjuhët (të paktën disa prej tyre) do të jetë i dobishëm. Pra, në përgjithësi është një lajm i mirë”, tha Florian Bieber për EWB-në.

Sipas Bieber, “e vetmja pengesë” është se Marta Kos nuk është “një peshë e rëndë”, dhe kështu, ajo mund ta ketë të vështirë t’i kushtojë axhendës vëmendjen e nevojshme në Komision.

“Ajo gjithashtu mund të ketë një udhëtim të vështirë gjatë seancave dëgjimore të konfirmimit në Parlamentin Evropian. Megjithatë, në përgjithësi, duket se shënon fundin e trendit ku çdo Komisioner i Zgjerimit ishte më i dobët se paraardhësi”, mendon Bieber.

Marta Kos është një ish-ambasadore sllovene në Gjermani dhe Zvicër.

Ajo ishte nënkryetare e Lëvizjes Liberale për Liri, e udhëhequr nga kryeministri Robert Golob.

Në vitin 2022, ajo kandidoi për Presidente të Sllovenisë, por u tërhoq nga fushata.

Kandidatët për Komisionerët Evropianë do t’i nënshtrohen seancave dëgjimore në komisionet e Parlamentit Evropian në javët në vijim.

Ata do të duhet të marrin dritën jeshile të eurodeputetëve për t’u zgjedhur në detyrë.

Parlamenti Evropian do të votojë për Komisionin e ri Evropian në tërësi përpara se ai të marrë detyrën, i cili do të bëhet më së shpejti më 1 nëntor.

Marrë dhe përshtatur nga European Western Balkans për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore