Kosova

Çfarë mendojnë qytetarët, a duhet të pranohen afganët si refugjatë në Kosovë?


Qytetari nga Prishtina

Qytetarët e Prishtinës mendojnë se pranimi i refugjatëve afganë në Kosovë është vendim i duhur pasi që edhe vetë kosovarët ishin refugjatë si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Ata të cilët frekuentonin sheshet kryesore të Kryeqytetit, u intervistuan nga një ekipë e Albanian Post dhe në deklaratat e tyre kanë thënë se “nuk ka arsye se pse mos të pranohen këta refugjatë”, por të shtohen masat dhe kontrolli nga forcat e rendit dhe të sigurisë.

“Afganistani është shteti i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës, prandaj pranimi i refugjatëve nga ky vend është i drejtë, pasi që edhe vetë kosovarët ishin refugjatë”, ka thënë një qytetar i Prishtinës për AP.

Ndërsa një tjetër ka arsyetuar vendimin e qeverisë së Kosovës për pranimin e refugjatëve kosovare pasi sipas tij “ky akt përveç se është obligim ligjor dhe moral është edhe obligim shoqëror”.

Sipas të njëjtit Kosova ka një arsye të dytë për të pranuar këta refugjatë pasi që kjo “kërkesë është bërë nga shteti mik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Gjatë ditës së diel, Zyra për Media e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte pohuar se është duke diskutuar me Qeverinë e Kosovës lidhur me strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

Këtë kërkesë të amerikanëve kishte konfirmuar edhe Luan Dalipi, shef i stafit të Kryeministrit të Kosovës,  duke thënë se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me autoritet amerikane për të strehuar afganët që kanë punuar me forcat amerikane.

Pro strehimit të Afganëve në Kosovë ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmanim ku sipas saj vendimi i një operacioni të tillë humanitar është dhënë mbi parimin njerëzor se “nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre  për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore