Lajme

Çfarë do të ndodhë në Itali pas dorëheqjes së kryeministrit Draghi?


Italia ka hyrë në një periudhë të re pasigurie politike pasi kryeministri Mario Draghi i dorëzoi dorëheqjen presidentit Sergio Mattarella.

Paqëndrueshmëria mund të shtojë sfidat me të cilat përballet tashmë vendi, duke përfshirë rritjen e inflacionit dhe pasojat ekonomike nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Qeveria e Draghit do të qëndrojë në detyrë në një rol kujdestar deri në zgjedhjet e parakohshme në vjeshtë, tha Mattarella të enjten, pasi pranoi zyrtarisht vendimin e dorëheqjes së kryeministrit.

Qeveria e Italisë u shkatërrua të mërkurën kur tre nga partnerët kryesorë të koalicionit të Draghit hodhën poshtë një votëbesimi që ai kishte thirrur në përpjekje për t’i dhënë fund ndarjeve dhe për të rinovuar aleancën e tyre.

Presidenti i Italisë Sergio Mattarella

Kriza politike ka përmbysur disa muaj të stabilitetit në Itali, gjatë të cilave ish-guvernatorit i bankës qendrore të Evropës kishte rritur pozitën e vendit në tregjet financiare dhe ndihmoi në formësimin e përgjigjes së Evropës ndaj luftës në Ukrainë.

Pse u dorëhoq Draghi?

Draghi kishte dhënë tashmë dorëheqjen e tij javën e kaluar pasi një nga partnerët e tij, Lëvizja populiste Pesë Yjet, nuk e mbështeti atë në një votëbesimi mbi masat që trajtojnë koston e lartë të jetesës.

Mattarella në atë kohë e refuzoi dorëheqjen dhe i tha atij të shkonte përpara parlamentit për të parë nëse ai mund të mbante koalicionin e gjerë deri në fundin e planifikuar të legjislaturës në fillim të vitit 2023.

Draghi fitoi një votëbesimi në Senat të mërkurën dhe mbajti një fjalim në të cilin bëri lutje për unitet.

Draghi duke folur në Senat

Megjithatë, bojkotimet nga tre prej aleatëve të tij kyç të koalicionit në votime praktikisht dënuan çdo perspektivë për mbijetesën e një qeverie uniteti të gjerë.

Pesë Yjet edhe një herë vendosën të mos e mbështesin atë, duke thënë se ai nuk kishte adresuar shqetësimet e tyre thelbësore. Partitë e krahut të djathtë Forza Italia dhe Lega Nord vendosën të shmangin votimin, duke thënë se ata donin një angazhim që Draghi ishte i gatshëm të krijonte një administratë të re pa Pesë Yjet dhe me prioritete të reja politike.

Çfarë e shkaktoi krizën politike?

Ish-shefi 74-vjeçar i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) u parashutua në vendin e kryeministrit në vitin 2021, ndërsa Italia luftonte me pandeminë COVID-19 dhe një ekonomi të sëmurë.

Ai formoi një koalicion të gjerë kombëtar në shkurt 2021 për të trajtuar urgjencën e koronavirusit dhe për të miratuar një sërë masash të zotuara në Komisionin Evropian, në këmbim të kësteve fillestare prej rreth 200 miliardë euro të fondeve të Bashkimit Evropian për rimëkëmbjen e pandemisë.

Qeveria e tij u dëmtua nga përçarjet që e bënë ekzekutivin të paaftë për të bërë shumë përparim në reformimin e një ekonomie me performancë të dobët.

Parlamenti i Italisë

Gjërat u përkeqësuan në fillim të këtij viti kur Draghi humbi rolin e presidentit në një votim të më shumë se 1 mijë parlamentarëve dhe delegatëve rajonalë.

Me zgjedhjet kombëtare që priten në gjysmën e parë të vitit 2023, partitë në koalicionin e tij filluan të grinden me synimin për të përmirësuar renditjen e tyre në votime.

Çfarë ndodh tani?

Draghi do të drejtojë një qeveri të përkohshme, duke u kujdesur për çështjet urgjente deri në mbajtjen e zgjedhjeve në shtator ose tetor.

Votimi kombëtar është i mandatuar me kushtetutë për t’u mbajtur brenda 70 ditëve pas shpërbërjes së qeverisë.

Mbështetësit e Draghit paralajmëruan se një kolaps i qeverisë mund të përkeqësojë sëmundjet sociale në një periudhë të inflacionit të shfrenuar, si dhe të vonojë buxhetin, të kërcënojë fondet e rimëkëmbjes pas pandemisë së BE-së dhe t’i çojë tregjet financiare në një kaos.

 

Obligacionet dhe aksionet italiane u shitën me shpejtësi të enjten, pikërisht kur tregjet po përgatiteshin për rritjen e parë të normës së interesit nga BQE që nga viti 2011. BQE-ja duhej të zbulonte të enjten një mjet për të korrigjuar stresin në tregjet e obligacioneve për anëtarët e eurozonës me borxhe, si Italia.

Cili ka qenë reagimi?

Bazuar në sondazhet aktuale, një aleancë e krahut të djathtë e udhëhequr nga partia neofashiste Vëllezërit e Italisë të Giorgia Melonit dhe duke përfshirë Forza Italia të Silvio Berlusconit dhe Lega Nord-in e Matteo Salvinit do të fitonte lehtësisht zgjedhjet e parakohshme, me kusht që të tre partitë të mund të formojnë një koalicion.

Meloni, i cili ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme që para shpërthimit të krizës, ishte triumfues.

“Vullneti i popullit shprehet në një mënyrë: me votim. Le t’i kthejmë shpresën dhe forcën Italisë,”, tha ajo.

Liderja e partisë “Vëllezërit e Italisë”, Giorgia Meloni

Enrico Letta, kreu i Partisë Demokratike të qendrës së majtë, e cila votoi në mbështetje të kryeministrit, tha se rrëzimi i qeverisë së Draghi do të thoshte “të shkosh kundër interesave të Italisë dhe italianëve”.

Ministri i Çështjeve Evropiane të Francës, Laurence Boone, tha përpara dorëheqjes së pritshme të Draghit se masa do të hapte një “periudhë pasigurie” dhe do të shënonte humbjen e një “shtyllë të Evropës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore