Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka theksuar se BSH dhe Këshilli i saj Mbikëqyrës kanë marrë vendime në bazë të ligjeve – sa i takon çështjes së mikrokredive.
Sejko ka deklaruar se Këshilli ka marrë gjithnjë vendime në interes të së mirës publike të vendit dhe të shoqërisë, ka monitoruar me vëmendje dhe në përputhje me mandatin ligjor zbatimin e detyrave të ngarkuara, si dhe është njohur rregullisht me raportimet e njësive organizative të Bankës, përfshirë edhe ato të mbikëqyrjes bankare.
“Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet”, tha guvernatori.
Më herët, BSH reagoi pas letrës së presidentit të Republikës Kuvendit të Shqipërisë. Në atë letër Bajram Begaj sugjeronte hetim parlamentar të veprimtarisë së bankës qendrore në mbikëqyrjen e institucioneve të mbledhjes së kredive të këqija.
Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë shprehet se ka përmbushur kurdoherë misionin e saj kushtetues: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar në vend.
Ajo thekson se në asnjë rast, as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme.
Sipas saj, ky ishte një format i propozuar dhe mbështetur fuqimisht nga institucionet partnere ndërkombëtare për ta adresuar këtë fenomen, FMN dhe BB.
Norma e interesit
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mos ndryshojë normën bazë të interesit për lekun, kjo nisur nga vënia nën kontroll e inflacionit.
Sejko, në konferencën për shtyp të së mërkurës, tha se “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi diskutoi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe ecurinë e pritshme të tyre, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 3.0 %”.
Sejko theksoi se qëndron e pandryshuar norma e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 2.0 % dhe mbetet e pandryshuar norma e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 4.0 %.
Guvernatori bëri të ditur se, zhvillimet ekonomike dhe monetare të gjysmës së parë të vitit kanë qenë në linjë me pritjet tona.
“Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni shënoi një rënie të ndjeshme. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare po lë pas pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022 – 2023”.
Sipas tij, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë ecuri. Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare arriti të vërë inflacionin nën kontroll, duke mos cenuar trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij.
“Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se trendet pozitive të zhvillimit do të vijojnë edhe në të ardhmen. Në veçanti, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në afatin e mesëm, me norma të qëndrueshme dhe pranë potencialit, ndërkohë që inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër”.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.
Guvernatori informoi gjithashtu se, në çdo rast, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri, si dhe do të jenë konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com