Kosova

Çështja e dinarit s’është më “e panegociueshme” siç thoshte Kurti – diskutimet shkojnë në Bruksel


Këtë të martë në Bruksel do diskutohet për çështjen e dinarit midis delegacionit të Kosovës dhe atij Serbisë edhe pse kryeministri Albin Kurti vazhdimisht pati deklaruar se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për valutën serbe “është i panegociueshëm”.

Meqë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, njëherë shef i ekipit negociator i palës kosovare, refuzoi ftesën e BE-së për të negoicuar për dinarin në kryeqendrën evropiane, në takim do të marrë pjesë Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ndërsa kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, do të përfaqësojë palën serbe.

Ftesa e BE-së për të diskutuar për çështjen e dinarit vjen në një kohë kur vendet perëndimore – si kurrë më parë – posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë artikuluar kritika të ashpra ndaj Qeverisë për shkak të moskoordinimit me ta për këtë çështje.

Madje, zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Ndihmës-Sekretarin e Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, kanë bërë të ditur se ky vendim ka cenuar raportet në mes të dy shteteve.

Ndërsa kryeministri Kurti, dy ditë parë, duke tentuar të shfajësohet, theksoi se nuk qenë në dijeni të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës.

“Më 27 dhjetor të vitit të kaluar Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për këtë rregullore të re, për t’i luftuar aktivitetet e paligjshme… dhe bënë mirë. Nuk kisha ide se do ta sjellin këtë vendim, apo se do ta hartojnë këtë rregullore (për ndalimin e dinarit)”, deklaroi Kurti në një intervistë për radion/revistën “Monocle”.

Por, më 4 shkurt, Kurti që kishte pasur mbledhje me Qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për “sukseset” që kjo parti është duke i bërë në qeverisjen e vendit, e kishte përmendur edhe ndalimin e dinarit serb.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-sё, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb nё territorin kosovar, duke specifikuar se valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione është euro.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

BQK-ja njoftoi se rregullorja e re do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.

Ndërkaq, nga ekzekutivi kosovar kanë potencuar se së shpejti do të hartojnë një listë prej 10 masash sa u përket mënyrave se si qytetarët e komunitetit serb që përbën shumicën në pjesën veriore të mos dëmtohen gjatë fazës kalimtare të zbatimit të vendimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore