Lajme

Çështja dinari: Bislimi e Petkoviç për herë të katërt takohen në Bruksel


Dinari serb.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht të Dërguarit Special të Unionit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këtë të enjte në Bruksel do të mbahet takimi i katërt me radhë në mes të kryenegociatorit kosovar Besnik Bislimi, dhe atij serb, Petar Petkoviç, në lidhje me çështjen e dinarit serb, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin e Kosovës.

Ky takimi është thirrur nga Lajçak, pasi që 3 paraprakët nuk mjaftuan që të arrihet një marrëveshje kompromisi që u propozua nga ndërmjetësi për këtë çështje, që së fundmi ka rritur tensionet në mes të dy vendeve fqinje.

Përkundër dallimeve, diplomati sllovak, pasi që kishte fasilituar takimin e tretë Bislimi-Petkoviç për dinarin më 4 prill, por edhe të tjerët, kishte thënë se janë përfaruar dallimet midis palëve, përkatësisht Kosovës dhe Serbisë.

“Prita një tjetër diskutim me dy kryenegociatorët për zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së. I kemi afruar dallimet midis propozimeve të dy palëve. Kam në plan të vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkruante Lajçak në platformën X (ish-Twitter).

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërsa, pas përfundimit të takimit të tretë, kryenegociatori i Kosovës kishte thënë se Prishtina e kishte pranuar propozimin që e ka bërë Lajçak, në lidhje me dinarin, derisa kishte shtuar se Serbia s’ka qenë e gatshme për kompromis.

“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së”, tregoi Bislimi para gazetarëve në Bruksel.

Bislimi theksoi se ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, “gjegjësisht pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje”.

“Javën e kaluar i është bërë e qartë palës serbe se takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse vijnë me ide për kompromis. Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha”, shtoi.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi.

Ai nënvizoi se përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia, “pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes e palëve të përfshira”.

Nga ana tjetër, kryenegociatori i palës serbe kishte theksuar se për këtë temë pritet të ketë edhe një takim shtesë në Bruksel.

“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, thoshte Petkoviç.

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Ndryshe, ky që do të mbahet të enjten, është takimi i katërt i radhës që do të organizohet me qëllim për të gjetur një zgjidhje lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarit, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.

Tre takimet paraprake përfunduan pa ndonjë rezultate konkrete në këtë drejtim, derisa ka shpresa – së paku kështu është shprehur ndërmjetësi Lajçak – se në të katërtin do ketë progres.

Në takimin e dytë të mbajtur për dinarin në kryeqendrën evropiane, Bruksel, Bislimi kishte theksuar se dallimet me Serbinë në këtë çështje janë të mëdha andaj kërkohet një takim shtesë.

Nga ana tjetër, Petkoviç kritikonte Prishtinën se gjoja nuk po bënë përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi dhe kërkoi që serbët t’i marrin paratë nga Banka Postare e Serbisë.

Ndërsa, në takimin e parë që kryenegociatorët e të dy vendeve përkatëse zhvilluan nën kujdesin e Lajçak-ut në Bruksel, u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore