Lajme

Certifikatat e disa shërbime të tjera, Kosovarët mund t’i marrtin nga platforma elektronike E-Kosova


Platforma online “e-Kosova” nga kjo e enjte ofron edhe shumë shërbime të tjera për qytetarët e Kosovës.

Për të nxjerrë certifikatën e e lindjes, ekstraktin e lindjes, certifikatën e martesës dhe certifikatën e vdekjes, si dhe shërbimin për vazhdimin e regjistrimit të veturës, më nuk është nevoja të shkohet në sportelet e objekteve të Komunave në Kosovë.

Ato mund të nxirren duke u shkarkuar online nga platforma e-Kosova.

Ilustrim

Në lansimin e këtyre shërbimeve të reja për qytetarët, konferencën e udhëhoqi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Grupi i parë ka të bëjë me gjenerimin online të certifikatave të gjendjes civile përmes E-Kosova. Këto certifikata janë të barasvlershme. Shërbimi tjetër ka të bëjë me regjistrimin e veturës për qytetarë”, ka shpjeguar Kurti.

Kryeministri theksoi se nga fillimi i përdorimit të kësaj janë realizuar më shumë se 500 mijë përdorime.

“Sot portali qeveritar ka mbi 600 mijë përdorues. Janë realizuar mbi 500 mijë përdorime. Portali E-Kosova është duke u pranuar mirë nga qytetarët”.

Kurti tregoi se është duke u punuar që kësaj platforme së shpejti ti shtohet edhe shërbimi i pagesave komunale.

“Është duke u punuar me komuna që edhe pagesa e mbeturinave të bëhen përmes E-Kosova. Me transformimin digjital synojmë avancimin e sistemit arsimor”, tha ai.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se ministria të cilën ai drejton, për zhvillimin dhe zbatimin e teknologjisë së informacionit ka realizuar një varg aktivitetesh për transformim dixhital.

“Janë krijuar kushte ligjore edhe në mënyrë elektronike. Sot do të prezantohen disa shërbime elektronike. Shërbimet e regjistrimit të automjeteve që po i publikojmë, vazhdimi i regjistrimit të automjetit individual, biznesor etj. Për më tepër në bashkëpunim me komuna kemi harmonizuar aspekte teknike”, tha Sveçla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore