Sport

Ceremonia hapëse e ‘Paris 2024’, një samit i liderëve botërorë


Kryeministri britanik Keir Starmer, Mbreti i Spanjës Felipe VI dhe Zonja e Parë e SHBA-ve Jill Biden do të jenë në mesin e krerëve të shteteve dhe personaliteteve që do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës së Parisit në brigjet e Senës të premten.

Franca po përgatitet të mirëpresë dhjetëra liderë botërorë, anëtarë të familjes mbretërore dhe Zonjën e Parë të SHBA-ve në Lojërat Olimpike Verore, të cilat fillojnë të premten me një ceremoni vezulluese në brigjet e Senës.

Megjithatë, as presidenca franceze dhe as ministria nuk kanë publikuar listën e personaliteteve, duke përmendur mundësinë e ndryshimeve në minutën e fundit.

Për shkak të listës së gjerë të personaliteteve, janë vendosur masa sigurie për të siguruar që eventi dhe konkursi të kalojnë pa pengesa. Me disa konflikte të vazhdueshme në mbarë botën, duke filluar me ato në Ukrainë dhe Gaza, Lojërat Olimpike të Parisit do të jenë gjithashtu rasti për një aktivitet të fortë diplomatik.

Asnjë zyrtar rus që përfaqëson qeverinë e Vladimir Putin-it nuk është ftuar për shkak të luftës së Kremlinit kundër Ukrainës, ndërsa ende nuk ka konfirmim se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në hapjen e ngjarjes më të madhe sportive në botë.

Delegacioni izraelit do të mbrohet shumë në një kohë tensioni për bombardimin e vazhdueshëm të Gazës nga Izraeli pas sulmit të Hamas-it më 7 tetor.

Presidenti izraelit Isaac Herzog do të marrë pjesë në ceremoni, pavarësisht protestave nga Teherani. Herzog do të takohet gjithashtu me Macron.

Ndërkohë, kreu i Komitetit Olimpik Palestinez, Jibril Rajoub, do të përfaqësojë kreun e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas.

Presidenti amerikan Joe Biden, 81 vjeç, i cili ka njoftuar vendimin e tij për të mos kandiduar për rizgjedhje dhe po shërohet nga një periudhë pneumonie, nuk do të fluturojë për në Paris, por Zonja e Parë e SHBA-ve Jill Biden ka konfirmuar praninë e saj në Lojëra.

Në ceremony do të marrë pjesë Douglas Emhoff, bashkëshorti i zëvendëspresidentes Kamala Harris, e cila tani kandidon për Shtëpinë e Bardhë.

Kryeministri i ri i Britanisë, Keir Starmer, i cili është në mes të një fushate për t’u ri-angazhuar me Bashkimin Evropian, do të jetë në tribunat me pamje nga Sena për të parë paradën e lumit.

“Paris 2024 është një ngjarje e madhe për Francën, por edhe për Mbretërinë e Bashkuar”, tha Menna Rawlings, ambasadorja e Britanisë në Francë, duke shtuar se rreth 500 mijë bileta ishin shitur në Britani.

Udhëheqës të tjerë evropianë që pritet të marrin pjesë përfshijnë kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin finlandez Alexander Stubb, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe atë grek Kyriakos Mitsotakis.

Gjeorgjia do të përfaqësohet nga kryeministri Irakli Kobakhidze dhe presidentja Salome Zurabishvili dhe do të marrë pjesë gjithashtu presidentja moldave Maia Sandu.

Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman dhe presidenti i Emirateve, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan nuk janë në listën e të ftuarve.

Por Emiri i Katarit Tamim bin Hamad Al-Thani, një anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), u pa në Paris për takimin tradicional para-lojërave dhe do të jetë i pranishëm.

Presidenti kinez Xi Jinping nuk do të marrë pjesë në Lojërat e Parisit dhe do të përfaqësohet nga zëvendëspresidenti Han Zheng.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministri indian Narendra Modi nuk janë në listën e të ftuarve në Elysee.

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva i ka kërkuar gruas së tij Rosangela të përfaqësojë kombin, por presidenti argjentinas Javier Milei dhe presidenti kolumbian Gustavo Petro kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, ka vendosur të anulojë pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Paris 2024”, në mënyrë që të qëndrojë në vend dhe të mbikëqyrë zbatimin e masave të reja për të luftuar krimin në rritje.

Brice Oligui Nguema i Gabonit dhe Faustin Archange Touadera i Republikës së Afrikës Qendrore do të marrin pjesë.

Presidenti i Kamerunit Paul Biya dhe ai i Ruandës Paul Kagame kanë konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e tyre.

Presidenti i ri i Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, do të marrë pjesë, por Cyril Ramaphosa i Afrikës së Jugut jo.

Ceremonia e hapjes do të përkojë me përvjetorin e parë të grushtit të shtetit që përmbysi presidentin e Nigerit Mohamed Bazoum dhe vendi do të përfaqësohet nga Abdoulaye Mohamadou, një zyrtar i ministrisë së sportit.

Princesha Anne e Britanisë, motra e mbretit Charles III dhe Princi Albert i Monakos mbërritën të hënën për të marrë pjesë në takimin e IOC pasi të dy vendet janë anëtarë të IOC.

Pritet të marrë pjesë edhe Mbreti i Spanjës, Felipe VI. Danimarka do të përfaqësohet nga Mbreti Frederick X dhe Mbretëresha Mari.

Ekipi olimpik shqiptar mbërrin në Paris

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore