Sport

Ceremonia hapëse e ‘Paris 2024’: Çfarë dimë deri tani


Një hartë që tregon rrugëtimin e paradës në “Paris 2024”

Ceremonia e hapjes së “Paris 2024” është vetëm disa ditë larg dhe po rritet emocioni për atë që do të jetë ceremonia e parë e hapjes së Lojërave Olimpike që do të mbahet jashtë një stadiumi.

E vendosur të jetë një ngjarje spektakolare, atletët do të parakalojnë me varka përgjatë Senës, duke e shndërruar kryeqytetin francez në një skenë madhështore.

Ngjarja e shumëpritur do të zhvillohet më 26 korrik, duke shënuar fillimin e Lojërave Olimpike që do të zgjasin deri më 11 gusht.

Dhe, këtu është gjithçka që duhet të dini për Ceremoninë e Hapjes, ndërsa orët për nisjen e Lojrave me padurim numëron mbrapsht për këtë ngjarje të shumëpritur.

Kur do të zhvillohet shfaqja?

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike “Paris 2024” është planifikuar për të premten, më 26 korrik. Festimet do të fillojnë në orën 19:30 (CEST) dhe parashikohet të zgjasin mbi tre orë, me qytetin që tashmë ka bllokuar zona specifike.

Çfarë është kaq e veçantë për këtë ceremoni hapjeje?

“Paris 2024” do të bëjë histori si Lojërat e para Olimpike Verore që do të mbajë Ceremoninë e Hapjes jashtë një stadiumi.

Në vend të skenave të zakonshme të sportistëve që marshojnë nëpër një pistë atletike, të pranishmit dhe shikuesit do të shijojnë një paradë në lumë nëpër zemër të kryeqytetit francez.

Sena, rruga kryesore ujore e qytetit, do të zëvendësojë pistën tradicionale, me kalatat që shërbejnë si tribuna spektatorësh.

Perëndimi i diellit që reflekton monumentet ikonike pariziene do të krijojë një sfond mahnitës për ngjarjen.

Pas testeve të shumta, duke përfshirë edhe kryebashkiaken Anne Hidalgo duke bërë një zhytje, lumi është gati për të pritur Lojërat.

Cila është rruga e paradës?

Rruga e paradës përgjatë Senës do të ofrojë një udhëtim vizual nëpër historinë dhe arkitekturën pariziene.

Duke filluar nga Ura Austerlitz pranë Jardin des Plantes, flotat do të udhëtojnë në perëndim për gjashtë kilometra përgjatë Senës, duke kaluar nën ura historike dhe monumente ikonike si Notre-Dame dhe Luvri.

Ajo do të kalojë gjithashtu në disa vende të lojërave, duke përfshirë Esplanade des Invalides dhe Grand Palais.

Të grupuar me ekipet e tyre kombëtare në anije, atletët përfundimisht do të mbërrijnë përballë Trocaderos, përballë Kullës Eifel, ku do të zhvillohen protokollet zyrtare, do të ndizet flaka olimpik dhe do të shpallen zyrtarisht Lojërat e “Parisit 2024”.

Sa sportistë do të përfshihen?

Gati 100 varka, me rreth 10,500 atletë, do të lundrojnë përgjatë Senës gjatë paradës.

Më të mëdhenjtë nga 206 Komitetet Olimpike Kombëtare (NOC) do të kenë varkat e tyre, ndërsa ato më të voglat do të ndajnë anijet.

A do të ketë argëtim shtesë?

Thomas Jolly, një regjisor francez teatri, është drejtori artistik për ceremonitë olimpike dhe paraolimpike të “Parisit 2024”.

Ndërsa detajet janë të mbyllura, shfaqja premton një përzierje madhështore të elementeve tradicionale dhe moderne, duke reflektuar peizazhin e larmishëm kulturor të Francës.

Koreografja e ceremonive Maud le Pladec ka njoftuar se çdo urë përgjatë rrugës së paradës do të ketë kërcimtarë. Ajo do të drejtojë 400 nga 3000 artistët që marrin pjesë në ceremoni, të gjithë të veshur me kostume unike të dizajnuara nga Daphne Burki.

Burki, një prezantuese e televizionit francez dhe drejtoresh kostumografie, është duke mbikëqyrur një ekip rrobaqepësish, stilistë flokësh dhe artistësh grimi. Angazhimi i saj ndaj qëndrueshmërisë përfshin përdorimin e materialeve të vjetra dhe të rinovuara së bashku me dizajne të reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore