Shqipëria

Censi: Në Tiranë jetojnë 32% e popullatës, Kukësi dhe Gjirokastra më pak të banuarit


Instituti i Statistikave ka publikuar të tjera të dhëna sa i takon Censit të popullsisë 2023, ku reflektohet se 32% e totalit prej 2.4 milionë banorësh, jetojnë në kryeqytet, Tiranë.

Kështu reflektohet në të dhëna, duke përmbledhur si banorë të qendrës së Shqipëri rreth 800 mijë persona.

Pavarësisht kësaj, kjo nuk do të thotë se po kaq janë rezidentë këtu, pasi numri mund të jetë edhe më i lartë, duke qenë se persona, të cilët jetojnë në Tiranë aktualisht, mund të jenë deklaruar në qytetet e tyre të origjinës.

Nga ana tjetër, në vend të dytë radhiten Fieri dhe Elbasani, ku jetojnë 10% e popullsisë në secilën. Pra, rreth 240 mijë banorë në Fier dhe po aq në Elbasan.

Në Durrës, shifra është prej 9%. Rreth 7% jetojnë në Korçë, 6% përkatësisht në Shkodër, Vlorë dhe Berat.

Në Dibër dhe në Lezhë, popullsia që jeton aty është me nga 4% e totalit për secilën.

Ndërsa, renditjen, si qarqet më pak të banuara, janë, Kukësi dhe Gjirokastra.

Ndarja fetare

Të dhënat e Censit kanë bërë zyrtare edhe ndarjen e re fetare në Shqipëri, ku pas publikimit se në vend jetojnë 2.4 milionë banorë, shumica e tyre (1.1 milionë) i takojnë besimit mysliman.

Më konkretisht, shifrat reflektojnë se komuniteti mysliman, ka në përbërje 1 milion e 101 mijë e 718 banorë.

Censi zbulon ndarjen e re fetare në Shqipëri: 1.1 milionë myslimanë, të krishterë mbi 370 mijë, ateistët në rritje

Si komunitet fetar në tërësi, ndjekin të krishterë, ndarë në disa degë. Prej tyre, 201 mijë e 530 janë deklaruar katolikë dhe 173 mijë e 665, ortodoksë. Një pakicë e vogël prej 9 mijë e 685 personash janë deklaruar si pjesë e Kishës Ungjillore.

Ndërkaq, rritje ka edhe në numrin e ateistëve, të cilët tashmë rezultojnë në shifrën e 85 mijë e 311 personave.

Ndryshorja e mbetur kanë preferuar të mos identifikohen me asnjë lloj besimi fetar.

Të dhëna interesante janë edhe ato sa i takon komuniteteve, ku të deklaruar si etnikë grekë, kanë qenë 23 mijë e 485 persona. Nga ana tjetër, 12 mijë e 375 janë vetëdeklaruar si komunitet egjiptian dhe 9 mijë e 813 komunitet rom.

Komuniteti bullgar është vetëdeklaruar në masën e 7 mijë e 57 personave.

Të dhënat e para të popullatës

Në Shqipëri jetojnë 2 milionë e 412 mijë e 113 banorë.

Janë këto shifrat e fundit zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave, pas zhvillimit të Censit të popullsisë 2023.

Lajmin e ka bërë publik drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuri, e cila u ndal edhe në disa shifra të tjera, por jo në raportin e plotë, i cili do të publikohet më tej i zgjeruar.

Në krahasim me Censin e bërë në vitin 2011, Shqipëria ka 409.831 mijë banorë më pak.

Këtë Dhuli e ka shpjeguar edhe për shkak të ndryshimeve të mëdha demografike që kanë ndodhur në kohë.

Sipas një mesatareje të përllogaritur, shpjegoi më tej Dhuli, një familje shqiptare ka mesatarisht 3.2 banorë për familje. Konkretisht, në Shqipëri jetojnë 755 mijë familje.

Rënia e popullatës ndërkaq, në termat e përqindjes, është në shifrat -16% për 12 vitet e fundit.

Në Censin e bërë në vitin 2011, numri i popullsisë i regjistruar ishte 2.8 milionë banorë. Në vitin 2001 ndërkohë ka qenë 3.06 milionë banorë.

Numri i banesave rezidenciale ndërkohë llogaritet në diçka më shumë se 1 milion e 80 mijë, sipas Dhulit.

Një fjalë ndërkaq e mbajti edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Silvio Gonzato, i cili e ka quajtur thelbësor për procesin e integrimit zhvillimin e këtij Censi.

Në fjalën e tij, Gonzato përmendi se informacioni i saktë i dalë nga ky proces, ka rëndësi pasi në bazë të tyre, për venet të cilat janë tashmë anëtare të Unionit, përcaktohet numri i votave në institucionet e BE dhe kontributet financiare.

“Censi siguron të dhëna mbi të cilat ndërtohen politikat. Censi është i rëndësishëm edhe në kontekstin e bisedimeve në integrimin në BE”, shpjegoi ai.

Më tej, shtoi: Informacioni i saktë dhe i besueshëm është thjeshtë thelbësor. Informacioni përcakton numrin e votave të vendeve anëtare në institucione dhe kontributet financiare që do të jepen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore