Shqipëria

Celibashi regjistron zyrtarisht disa nga kandidatët për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pasditen e 11 shkurtit ka regjistruar zyrtarisht disa nga kandidatët e partive politike në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Konkretisht Partia Socialiste, do të garojë zyrtarisht në zgjedhje me kryetarët aktualë të Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako dhe të Lushnjës, Eriselda Sefa. Si dhe Majlinda Angoni për Bashkinë e Shkodrës.

Ndërsa kandidatët Rrahim Spahiu, për Bashkinë e Dibrës, Blerim Sheha, për Vorën dhe Edison Molla për Rrogozhinë, ende nuk janë regjistruar nga Celibashi.

Partia Demokratike do të përfaqësohet zyrtarisht nga Indrit Sefa për Bashkinë e Lushnjës, në Durrës, nga Luan Hoti dhe në Shkodër, nga Xhemal Bushati.

Ndërkaq pritet regjistrimi ose jo i Ferdinand Saraçit në Rrogozhinë, Ymer Markut për Bashkinë e Vorës dhe Luan Haka për kryetar Bashkie në Dibër.

Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, do të shkojë zyrtarisht në garën zgjedhore me Ardian Muka në Durrës, Bardh Spahia në Shkodër dhe Elton Banon në Lushnjë.

Kurse Premtim Kryemadhi në Dibër, Hekuran Xhani në Rrogozhinë dhe Lulzim Vrana në Vlorë ende nuk kanë marrë regjistrimin zyrtar të Celibashit.

Më 2 shkurt Celibashi ka regjistruar partitë kryesore – Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Si dhe partitë e vogla – Partia Demokristiane, Lëvizja e Re, Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë, Bashkimi Demokrat, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar.

Nga ana tjetër kujtojmë që koalicioni “Shtëpia e Lirisë” është regjistruar nga Celibashi – midis Lëvizjes Socialiste për Integrim, Komisionit të Rithemelimit dhe Partisë Demokristiane.

Mirëpo, në letër, fraksioni i Berishës brenda Partisë Demokratike, nuk do të jetë pjesë e koalicionit.

Nën argumentimin se simbolet e PD-së, nuk mund të përdoren përveçse nga Partia Demokratike. Pra, Komisioni i Rithemelimit, de jure nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve, por de facto po.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore