Shqipëria

Çdo seancë plenare, një protestë opozitare


Partia Demokratike ka ftuar mbështetësit e saj dhe qytetarët që të protestojnë sërish të enjten e 16 shkurtit para Kuvendit të Shqipërisë ndërkohë që brenda parlamentit do të zhvillohet normalisht seanca plenare e radhës.

Në pamje të parë, do të tingëllonte si një traditë demokratike, nëse një mosbindje e tillë politike nuk do të përkthehej në një aksion “pa rezultat” të opozitës.

Deri më tani të dyja protestat pararendëse kanë kaluar pa incidente të theksuara, përfshirë hedhjen e mjeteve piroteknike apo përplasjen me efektivët e policisë.

Ajo parashikohet të fillojë rreth orës 10:00 dhe do të rikthejë në terren deputetët e përjashtuar të selisë blu.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe deputeti demokrat Flamur Noka u përjashtuan dhjetë ditë nga Kuvendi, ndërsa deputetët Belind Këlliçi dhe Edi Paloka u sanksionuan me pesë ditë.

“Parlamenti dëshmoi se janë shumë më afër me bandat, krimin se sa me tempullin e demokracisë. Prania juaj këtu i detyroi të largohen nga Parlamenti, herën tjetër do duhet t’ju marrin leje ju”, vuri në dukje Berisha.

May be an image of 2 people, people standing and monument

Punimet

Në rendin e punimeve të seancës plenare të 16 shkurtit janë parashikuar dhjetë pika, përfshirë këtu edhe diskutimet e lira.

Ajo që bie në sy është pika 7, ku është vendosur kërkesa e deputetëve të opozitës (projektvendimi) për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Për diskutim dhe miratim, janë disa projektligje si ai “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Finlandës, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe parandalimin e shmangien e evazionit tatimor”.

Apo projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit ‘Furnizimi me ujë i qytetit të Durrësit'”.

Projektligj tjetër që është parashikuar për diskutim është edhe ai “Për miratimin e kontratës shtesë për ndryshimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si autoritet kontraktues dhe shoqërive ‘Sicpa Security Solutions’, për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave, miratuar me ligjin nr.0381, datë 24.2.2011”.

Një tjetër projektvendim në rend dite është edhe ai “Mbi propozimin për punonjësit me kohë jo të plotë pune pranë KQZ, për procesin e pilotimit të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 14 maj 2023”.

Përsëritje

Seanca e fundit plenare do të zgjaste po aq sa protesta jashtë parlamentit (1 orë e gjysmë) por nuk pati asnjë zhvillim të ri mes akuzash të ndërsjella.

Ajo u karakterizua nga ndërprerjet dhe përplasjet në distancë mes palëve duke anashkaluar tërësisht planin e punimeve të Kuvendit.

Fillimisht, salla u përfshi nga terri, për shkak të djegies së pajisjes UPS, e cila shërbente për balancimin e energjisë në sallën e seancave plenare.

Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, pajisja UPS funksionon ekskluzivisht për sallën e seancave, për shkak të sistemit elektronik.

Ndërprerja e radhës erdhi pas bllokimit të foltores së parlamentit nga ana e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Më i zhurmshmi ishte deputeti demokrat Flamur Noka, i cili kontestoi me një bilbil secilën fjalë të deputetëve të shumicës.

Ky veprim solli dhe përjashtimin e tij nga seanca plenare duke shkaktuar një përplasje në distancë me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Një grup i deputetëve të Partisë Socialiste kërkoi përjashtimin e Berishës nga Kuvendi me afatin maksimal të lejuar nga rregullorja.

Kërkesa u bë e ditur nga deputetja socialiste Anila Denaj në emër të 27 përfaqësuesve socialistë të cilët kanë firmosur kërkesën.

Berisha, sipas tyre, kishte kaluar çdo kufi etik me deklaratat e fundit të bëra publike.

Punimet nisën me betimin e deputetit më të ri të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nga radhët e Partisë Demokratike, Gëzim Nuri Ademaj, por ky zhvillim u eklipsua menjëherë.

Deklaratat

“Kjo betejë do vazhdojë deri në fitoren e plotë të revolucionit demokratik mbi monizmin. Rroftë Shqipëria”.

Podiumi nuk ishte ai i përhershmi në krye të protestës, por në shkallët e selisë blu.

Berisha ndërsa mbylli protestën e 13 shkurtit provoi një “involucion” të revolucionit aq shumë të shprehur në fjalimet e tij.

Papritur e gjithë vëmendja e opozitës ndaj “aferës” McGonigal-Rama u kthye në një “çështje rozë”.

Një prej arsyeve të organizimit të protestës së 11 dhe 13 shkurtit lidhet pikërisht me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së.

Ish-kryeministri deklaroi gjatë të hënës si në foltoren e Kuvendit ashtu dhe para mediave se disponon dokumente për “orgjitë e McGonigal dhe zyrtarëve të qeverisë shqiptare”.

“Edi Rama i damkosur me skandalin McGonigal, kishte bindur zonjat e PS-së në Kuvend se akuzat e mia dhe se skandali McGonigal nuk kishte në epiqendër Edi Ramën, por disa afera aksesore në pub-et dhe club-et e Tiranës. Po kishte turp më të madh se sa të protestonin për deklarata që i kam bërë në konferencë shtypi me gazetarë dhe të shpreheshin se secila prej tyre ishte e akuzuar”.

Sipas tij, çdo e dhënë do t’i dorëzohet komisioneve parlamentare, këtu dhe në SHBA.

“Bëhet fjalë për dokumente. Por me natyrën time, nuk keni parë kurrë të publikuar në Facebook asnjë video apo foto të karakterit erotik se unë nuk merrem me to”.

Në përmbyllje, Berisha garantoi se protesta e radhës do të jetë të enjten e 16 shkurtit sërish para parlamentit.

Problemi i tezave

Marshimi i lirisë dhe revolucioni ishin dy konceptet shteruese të protestës së 11 shkurtit.

Mandej të dyja përvijuan aplikimin në protestën e të hënës përpara Kuvendit të Shqipërisë, siç u njoftua.

Por, aksioni opozitar duket se ka hyrë në një qark vicioz duke llogaritur ecejaken e kryedemokratit në kryeqytet pa frikën e një përsëritjeje të incidentit të izoluar të 6 dhjetorit.

Në thelb, vijimi i revolucionit dhe marshimi i lirisë të cilin Berisha e ndau në disa etapa institucionale, është i fragmentuar.

Kjo, mes deputetëve të cilët gjenden brenda seancës plenare dhe “të përjashtuarve”.

Njësoj si të thuash se grupimi Alibeaj gjendet krah protestës por renditet mes “të përjashtuarve” nga kauza dhe foltorja e lëvizshme.

Mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën para Kryeministrisë duke akuzuar Qeverinë shqiptare për korrupsion.

Ndër të tjera ata protestuan kundër kostos së lartë të jetesës që po i detyron njerëzit të largohen nga vendi.

Protestuesit, të udhëhequr nga lideri i opozitës Sali Berisha, hodhën mjete piroteknike në hyrje të zyrave të qeverisë ku qindra oficerë policie me mjete kundër trazirave bllokuan protestuesit të hynin në ndërtesë.

Sërish, protesta nuk u përshkallëzua duke ruajtur një format paqësor të shprehjes së pakënaqësive ndaj Ekzekutivit.

“Edi Rama jepe dorëheqjen, shko ku e keni vendin, në shtyllën e turpit, në shtëpinë e tradhtarëve”, tha Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike në opozitë, duke shtuar se të hënën do të thirrej një protestë e re para parlamentit.

Berisha, një ish-president dhe ish-kryeministër, e ka të ndaluar të hyjë në Shtetet e Bashkuara për korrupsion të dyshuar, akuza të cilat ai i mohon.

Gjatë protestës së 11 shkurtit kryedemokrati akuzoi kryeministrin Rama se ka korruptuar zyrtarët amerikanë për të lobuar kundër tij dhe kundër partive opozitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore