Kosova

Çdo familje një të punësuar – ekonomistët komentojnë për Albanian Post skemën e re të Qeverisë


Ilustrim

Këtë të hëne të 18 korrikut, ministri i Financave Hekuran Murati, pritet ta prezantojë skemën e re të Qeverisë së Kosovës, përmes të cilës do të subvencionojë një pjesë të pagave për punëtorët e rinj, pavarësisht llojit të punës, apo kompanisë e cila ofron punësimin për punëtorin e ri.

Për këtë skemë ka folur shkurtimisht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën përmes një video-mesazhi.

“Në kuadër të masave të punësimit synojmë të garantojmë që çdo familje në republikën e Kosovës ka së paku një të punësuar. Nëpërmjet të kësaj skeme ne synojmë të subvencionojmë deri në 70 për qind të pagës bruto të punëtorit maksimumi 300 euro për gjashtë muaj me radhë”, tha Kurti.

Ekonomisti Erton Bega, thotë për Albanian Post se qëllimi i kësaj mase është pozitiv në aspektin social, pasi që synon punësim në çdo familje përmes subvencionimit direkt të vendit të punës në masën 70 për qind për gjashtë muajt e parë.

Por, ai konsideron që implementimi do të varet nga disa faktorë tjerë që lidhen me kualitetin e vendit të punës dhe përshtatjen e profilit të të papunëve më raport me nevojat.

Erton Bega

“Kosova ka rreth 25 mijë familje që marrin ndihmë sociale nga shteti dhe kjo masë do të duhej të synonte fillimisht punësimin e anëtarëve të këtyre familjeve, por kjo nuk do të jetë e lehtë pasi që krahas subvencionimit të vendeve të punës me 70 për qind të pagës duhet të ketë edhe aftësim adekuat për punë të caktuara, kështu që kjo masë duhet të përcjellët edhe me trajnime adekuate në bashkëpunim me qendrat e aftësimit profesional apo edhe sektorin privat”, tha Bega.

Një sfidë tjetër për Begën mbetet punësimi joformal i personave nga familjet që përfitojnë ndihmë sociale, të cilët nuk do të lajmërohen për përfitim nga kjo masë.

“Efekti në të hyrat e familjeve të tyre do të jetë tepër i vogël, duke pasur parasysh që punësimet përmes kësaj mase do të jenë me paga të ulëta dhe me rastin e punësimit, familja humb ndihmën sociale”, shtoi ai.

Ndërsa, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thekson se kriza në Kosovë po thellohet, derisa inflacioni është në rritje.

Prandaj, shton se “është koha kur duhet institucionet të mendojnë në mënyrë më konkrete si të ndihmojnë bizneset”.

“Ajo që është më shqetësuese se Kosova po shndërrohet në shtet social, të ardhurat janë të mirëseardhura, por duhet të kemi një qëndrueshmëri ekonomike”, thotë ai për AP.

Safet Gërxhaliu

“E çmojmë çdo hap që ka karakter social, por duhet që shteti të ketë vizion afatgjatë dhe afatmesëm”.

Ekonomisti Gërxhaliu mendon se subvencioni i pagave për punëtorët e rinj nga Qeveria mund të keqpërdoret.

“Duhet të kemi transparencë dhe fakti që në Kosovë mungon përgjegjësia mund të ketë keqpërdorime që do të hapin mundësi që kjo gatishmëri e ekzekutivit të keqpërdoret në  forma të ndryshme, Duhet monitorim dhe llogaridhënie, por edhe të mendohet që të kemi investime kapitale dhe të ndihmohet biznesi”.

Pas 5 vjetësh, Albin Kurti realizon premtimin e Fatmir Limajt

Një premtim elektoral të Fatmir Limajt në vitin 2017, kur garonte me Nismën për Kosovën, tashmë po e shndërron në politikë shtetërore kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Limaj, pos tjerash, derisa shpaloste programin e tij, kishte deklaruar se një nga qëllimet e tij kryesore është që t’ia sigurojë së paku një të punësuar, ose një pagë, secilës familje në Kosovë.

“Me neve ma asnjë familje në Kosovë nuk do të mbetet pa e pasur një pagë, ose një anëtarë të punësuar”, kishte pohuar Limaj në një nga tubimet e atëhershme. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore