Shqipëria

Çdo e dielë pa makina në Tiranë, nisma e re e Bashkisë


Rrugët kryeqytetase në Shqipëri do të shohin qarkullim të kufizuar mjetesh çdo ditë të diele në një nismë të re të prezantuar nga Bashkia e Tiranës.

Prej 17 prillit, çdo e dielë do t’i kushtohet këmbësorëve në kryeqytet dhe do të përfshijë zhvillimin e ngjarjeve kulturore dhe artistike në Tiranë.

Kufizimi i trafikut do të fillojë prej orës 09:00 dhe do të përfundojë në orën 15:00, në një model të ngjashëm me atë të ditëve të mëparshme pa makina, ku akset kryesore u bllokuan, për të lejuar këmbësorët të shijojnë të vetëm shëtitjet, pa zhurmën e automjeteve.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë aksi kryesor ku do të ndalohet qarkullimi i mjeteve, përveç kryqëzimeve që lidhin unazën e Tiranës.

Qarkullimi një rrugën “Myslym Shyri” do të jetë po ashtu i mbyllur, prej Gjykatës së Lartë deri në kryqëzimin e bulevardit kryesor.

I lejuar nga ana tjetër do të jetë kalimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit, apo edhe automjetet e transportit publik qytetës.

Qarkullimi në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Ibrahim Rugova” ndërkaq, do të jetë i detyruar djathtas.

Një nismë e ngjashme nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, parashikonte kthimin e çdo të diele të parë të muajit, në kryeqendrat e 12 qarqeve të vendit, si ditë pa makina.

Por, me sa duket, Bashkia e Tiranës ka vendosur që ta kthejë në një ritual të vërtetë ditën pa makina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore